Nisin punimet e takimit të partnerëve të projektit ERASMUS+ “Dual AFS”
Lajme
Lexohet për: 6 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Sot, në Universitetin e Prishtinës filluan punimet e takimit të radhës të partnereve të projektit ERASMUS+ "Kurrikulat DUALE – Studimi dhe Puna Praktike në Bujqësi dhe Siguri Ushqimore (DUAL AFS)".

Projekti ERASMUS+ “Dual AFS” i miratuar nga Komisioni Evropian, po vazhdon zbatimin e tij që nga viti 2021 në disa universitete të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës. Projekti koordinohet nga partnerë të BE-së, Universiteti Nuertingen-Geislingen (Gjermani) në bashkëpunim me Universitetin e Shkencave të Aplikuara Savonia (Finlandë). Partnerët vendorë përfitues janë Universiteti Bujqësor i Tiranës (Shqipëri), Universiteti i Korçës (Shqipëri), Fakulteti për Bujqësi dhe Veterinari, Universiteti i Prishtinës (Kosovë) dhe Universiteti i Mitrovicës (Kosovë). Gjithashtu, nga ky projekt kanë përfituar edhe disa partnerë jo-universitar nga agrobiznesi, prodhimi i kafshëve dhe siguria ushqimore, nga Shqipëria dhe Kosova.

Koordinator qendror i projektit është Heinrich Schuele nga Universiteti Nuertingen-Geislingen (Gjermani), ndërkaq koordinator lokal është Skënder Muji nga Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë, Universiteti i Prishtinës. Projekti do të realizohet në përudhën 15.01.2021 – 14.01.2024 (36 muaj), ndërkaq vlera e përgjithshme e projektit për të gjithë partnerët është rreth 1 milionë Euro.

Objektivi kryesor i projektit është përgatitja e një programi DUAL për nivelet Bachelor dhe Master (në fushën e prodhimtarisë shtazore, agrobiznesit, sigurisë ushqimore etj.), të cilat do të jetë të krahasueshme me universitetet partnere të BE-së. Për disa arsye praktike, Universiteti i Prishtinës në kuadër të këtij projekti, thjeshtë vetëm do të rrisë ndjeshëm pjesën praktike në kurrikulat ekzistuese klasike (për t’iu qasur më vonë sistemit të programeve duale).

Bujqësia dhe ushqimi janë sektorët dominues në zonat rurale dhe kanë peshë të rëndësishme në GDP dhe në punësimin e popullsisë në Shqipëri dhe Kosovë. Rrjedhimisht, arsimi i lartë në shkencat bujqësore është i një rëndësie vendimtare dhe duhet të konsiderohet seriozisht. Zhvillimi dhe modernizimi i sektorit, përcaktohet kryesisht nga investimi në edukimin dhe trajnimin e burimeve njerëzore, për të arritur aftësi për t’iu përgjigjur sfidave të mëdha të modernizimit të sektorëve të bujqësisë, blegtorisë dhe ushqimit. Për të rritur dhe zhvilluar më tej sektorin e bujqësisë duke iu përgjigjur kërkesave të tregut në Shqipëri dhe Kosovë, padyshim është e nevojshme të kemi ekspertë të kualifikuar dhe kompetent. Gjithsesi, institucionet e arsimit të lartë të të dy vendeve kanë një rol parësor në zhvillimin e burimeve njerëzore të nevojshme për zhvillimin dhe modernizimin e sektorëve të bujqësisë dhe ushqimit.

Bazuar në përvojat e disa vendeve të BE-së, modeli i studimeve DUALE konsiderohet si një nga modelet më të suksesshme të studimeve terciare të aplikuara në Evropë. Ky model është zhvilluar dhe zbatuar më me sukses nga Akademitë profesionale (Berufsakademie) dhe Universitetet e Shkencave të Aplikuara (Fachhochschule). Këto modele studimesh zbatohen, me modifikime të vogla, edhe në disa vende të tjera evropiane. Partnerët e BE-së të projektit tonë, Universiteti i Shkencave të Aplikuara të Nürtingen‐Geislingen, (HfWU) Gjermani dhe Universiteti i Shkencave të Aplikuara Savonia (SUAS), Finlandë, kanë tashmë përvojë premtuese në zbatimin e studimeve të kurrikulave duale në bujqësi dhe ushqim. Prandaj, konsorciumi i projektit beson se studimet duale janë një model dhe strategji efikase për të përmirësuar lidhjen e studimeve terciare me nevojat e bujqësisë, të cilësisë dhe sigurisë së ushqimit, si dhe të tregut të punës në këta sektorë.

Riorganizimi i kurrikulave aktuale dhe forcimi i kompetencave dhe aftësive praktike do të realizohet përmes bashkëpunimit të Universiteteve me partnerët tanë nga biznesi. Prandaj, programet duale të studimit të projektit tonë (DualAFS) synojnë punësim më të mirë të të diplomuarve, njohuri dhe kapacitet inovativ në shkencat bujqësore dhe përmirësimin e konkurrencës së biznesit të bujqësisë dhe ushqimit. Në afat të gjatë, synimi është të sjellë prosperitet në rajonet e thella dhe rurale të Shqipërisë dhe Kosovës.

ERASMSU+ (programi i BE-së për arsimin, trajnimin, rininë dhe sportin) është një mbështetje e shkëlqyer për institucionet ne arsimin e lartë veçanërisht të vendeve partnere për të ndërkombëtarizuar mësimdhënien dhe kërkimin shkencor, që është gjithashtu një nga sfidat më të rëndësishme të reformës së universiteteve në Shqipëri dhe Kosovë. Rrjedhimisht, ky projekt mbështet shkëmbimin e studentëve dhe stafit mësimdhënës ndërmjet partnerëve tanë për të ndihmuar dhe lehtësuar riorganizimin dhe reformimin e programeve të studimit në Kosovë dhe Shqipëri. Si rezultat, projekti DualAFS do të ndërkombëtarizojë arsimin në bujqësi, do të nxisë inovacione dhe do të ndërtojë ura dhe shtigje të forta ndërmjet palëve të interesuara në nivele të ndryshme.

Përveç objektivit kryesor (zhvillimi i kurrikulave DUALE), Konsorciumi i projektit ka identifikuar edhe nevojat për: (a) forcimin e aftësive praktike të të diplomuarve përmes një integrimi më të mirë të kurrikulave teorike dhe praktike të universitetit; (b) integrimi i hershëm i studentëve në jetën e punës në fermë, si dhe (c) zhvillimi i konceptit te të mësuarit gjatë gjithë jetës (LLL).

Lexo po ashtu
Moti sot
Projekti Erasmus+ (DUAL AFS), nënkupton ristrukturimin dhe reformimin e programeve të studimit në sektorin e bujqësisë sipas tendencave globale të arsimit të lartë dhe nevojave të tregut të punës, i cili do të nxisë dhe mbështesë rritjen ekonomike, punësimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Bujqësisë dhe prodhimtarisë së ushqimit në Shqipëri dhe Kosovë.

Punimet e komitetit drejtues të këtij takimi filluan sot më 24.04.2023 (në hapësirat e Universitetit të Prishtinës) dhe do të vazhdojnë deri të premten më date 28.04.2023 (në hapësirat e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë të Kosovës).

Kush do ti fitojë zgjedhjet në Kosovë?
VV
PDK
LDK
AAK-Nisma
Lista GUXO
Nuk e di
Voto
1,516
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024