Ministri i jashtëm suedez kërkon zbatim të marrëveshjes Kosovë-Serbi
Lajme
Lexohet për: 2 min.
10 muaj më parë
Linku u kopjua

Ministri i Punëve të Jashtme të Suedisë, Tobias Billstrom kërkoi sot zbatimin e marrëveshjes bazë Kosovë-Serbi, të arritur më 27 shkurt në Bruksel dhe aneksin e zbatimit të saj më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Në vizitën e tij në Kosovë të enjten, ministri suedez nënvizoi edhe nevojën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Pas takimit me homologen e tij nga Kosova, Billstrom, në konferencë për medie tha se palët duhet t’iu përmbahen zotimeve që i kanë marrë në dialog.

"Të dy palët që e kanë nënshkruar marrëveshjen duhen t’i zbatojmë zotimet. Edhe në Beograd e kam potencuar se duhet të bëjnë edhe ata pjesën e punëve të tyre. Po ashtu, edhe në Prishtinë, nëse zotoheni për një marrëveshje natyrisht se duhet të përmbusheni. Në rastin e Serbisë duhet të riformulojnë nga pengesa që Kosovës që t’i bashkohet organizatave ndërkombëtare, kjo është shumë e qartë. Këshilli i Evropës është një shembull. Në anën tjetër, edhe Kosovën duam të shohim t’i përmbush zotimet e saja që të krijohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe”, tha Billstrom.

Ai shtoi se Suedia e mbështetë edhe aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Në anën tjetër, Gërvalla foli për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës, me ç’rast, tha se shpreson që shumë shpejtë aplikacioni të kalojë nga Komiteti i Ministrave në Asamblenë Parlamentare.

Krahas kësaj, Gërvalla nënvizoi thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Suedisë.

Ministri i Punëve të Jashtme të Suedisë, Tobias Billstrom gjatë vizitës në Kosovë u takua edhe me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti. Ndërsa, ditë më parë, ai vizitoi edhe Serbinë./KosovaPress/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024