Komisioni Evropian përshëndet nënshkrimin për liberalizimin e vizave
Lajme
Lexohet për: 2 min.
10 muaj më parë
Linku u kopjua

Komisioni Evropian ka përshëndetur nënshkrimin e vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën, i cili u bë të mërkurën nga Parlamenti Evropian. Në një komunikatë për media, thuhet se udhëtimi pa viza do të sjell përfitime për qytetarët nga të dy anët si dhe do të forcojë tutje raportet e Bashkimit Evropian me Kosovën.

Sipas Komisionit Evropian, Kosova në vazhdimësi i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe kushtet duke dëshmuar përkushtim në këtë drejtim.

Udhëtimi pa viza sjell përfitime për qytetarët nga të dyja anët, duke forcuar më tej marrëdhëniet e BE-së me Kosovën. Kosova në vazhdimësi i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe ka treguar përkushtimin e saj”, thuhet në komunikatë.

Tutje, bëhet e qartë se lëvizja e lirë për bartësit e pasaportave të Kosovës do të bëhet realitet më së voni më 1 janar 2024.

Udhëtimi pa viza për bartësit e pasaportave të Kosovës do të bëhet realitet më së voni më 1 janar 2024. Pas pajtimit në mes Parlamentit Evropian dhe Këshillit, në bazë të propozimit të Komisionit Evropian, bartësit e pasaportave të Kosovës do të lejohen të udhëtojnë në Bashkim Evropian pa viza për një qëndrim maksimal deri në 90 ditë, në periudhën prej 180 ditësh” thuhet tutje në komunikatë.

Në këtë komunikatë, Komisioni thotë se në vitin 2016 i kishte propozuar Parlamentit Evropian dhe Këshillit, mundësinë që qytetarët e Kosovës të mund të udhëtojnë pa viza.

Në vitin 2018, thuhet në komunikatë, Komisioni kishte vlerësuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret.

Vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën është nënshkruar të mërkurën.

Për të hyrë në fuqi, ai pritet të botohet në gazetën zyrtare të Bashkimit Evropian.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024