U kapën me kanabis, arrestohen dy persona në Lushnjë
Policia informoi sot se një 42-vjeçar u arrestua në Lushnjë pasi u kap në flagrancë duke shitur doza të lëndës narkotike-kanabis.
Po ashtu, u arrestua edhe një 20-vjeçar nga Italia pasi u kap duke blerë dozat e lëndës narkotike.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë, të mbështetura nga inteligjenca informative, për një rast të shitjes në doza, të lëndës narkotike kanabis, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Deal”, në kuadër të të cilit u kapën në flagrancë dhe u arrestuan shtetasit G. S., 42 vjeç, banues në Dimal dhe R. A., 20 vjeç, banues në Itali. 42-vjeçari, i dënuar më parë për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, u kap në flagrancë, në automjetin që drejtonte, teksa i shiste shtetasit R. A., doza të dyshuara lënde narkotike kanabis. Këto doza u sekuestruan nga shërbimet e Policisë, në cilësinë e provës materiale.”, bëri të ditur Policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lushnjë, për veprime të metejshme, për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve".