Nikolla priti një delegacion italian: Mirënjohës Italisë për mbështetjen e Shqipërisë
Lajme
Lexohet për: 2 min.
11 muaj më parë
Linku u kopjua

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla priti sot delegacionin e Komisionit të Jashtëm dhe Mbrojtjes të Senatit të Italisë, të kryesuar nga kryetarja, Stefania Gabriella Anastasia Craxi.

Nikolla u shpreh se i janë mirënjohës Italisë për mbështetjen e vendosur të zhvillimit dhe demokratizimit të Shqipërisë.

Ajo ka potencuar se shpreson që Italia të mbështesë anëtarësimin e Kosovës në KiE dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare.

 “Shqipëria dhe Italia, Kuvendi dhe Senati, jemi të angazhuar për të kontribuar në Partneritetin Strategjik dhe bashkëpunimin e shkëlqyer dypalësh. Ne i jemi mirënjohjës Italisë për mbështetjen e vendosur të zhvillimit dhe demokratizimit të vendit tonë si edhe për kontributin si avokatja më e fuqishme e integrimit evropian të Shqipërisë. Shqipëria dhe Italia janë partnerë në NATO, në mbështetjen e Ukrainës dhe në kontributet për mbrojtjen e sigurisë e të paqes në rajon, kontinent dhe në botë. Dëshirojmë e shpresojmë që Italia të mbështesë fort anëtarësimin e Kosovës në KiE dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare. Në bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Italisë nuk prevalojnë interesat, por miqësia, e cila i ka rrënjët në lidhjet e fuqishme historike e shpirtërore mes popujve tanë.”, tha Nikolla.

Ndërsa, kryetarja e Komisionit të Jashtëm dhe Mbrojtjes të Senatit të Italisë, Stefania Gabriella Anastasia Craxi vuri në dukje se Shqipëria dhe Italia, përveç dy vende tradicionalisht e historikisht mike të ngushta, janë partnerë në përballimin dhe zgjidhjen e konflikteve të vështira gjeopolitike.

Siç u bë e ditur, Italia do të vijojë të mbështesë integrimin evropian të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor dhe nuk ka një agjendë tjetër përveç të ardhmes evropiane të rajonit. Po ashtu, Italia mbështet dialogun Kosovë-Serbi, vlerëson rolin lider të Shqipërisë në rajon, mbështet nismën e bashkëpunimit rajonal mes Shqipërisë, Serbisë e Malit të Zi dhe nxit vendet e tjera t’i bashkohen kësaj nisme. Ndërkaq, për anëtarësimin e Kosovës në KiE dhe organizata të tjera ndërkombëtare, Italia do të nxisë edhe diplomacinë paralele.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024