24-vjetori masakrës së Poklekut, krerët shtetërorë: Holokaust i vërtetë
Lajme
Lexohet për: 3 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Liderët e shtetit kanë bërë homazhe sot në Kompleksin Memorial në fshatin Poklek. Në vendin ku 24 vjet më parë janë vrarë më shumë se 50 persona, ata kanë thënë se ka ngjarë "holokaust" i vërtetë dhe se është dëshmi e gjallë e gjenocidit të Serbisë mbi popullatën civile shqiptare. Presidentja, kryeministri e kryeparlamentari kanë vizituar edhe shtëpinë e familjes Muçolli, ku janë vrarë, masakruar dhe djegur trupat e grave e fëmijëve.

Presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se sot është prej ditëve më të trishta të përkujtimit të viktimave të luftës në Kosovë.

Ajo ka thënë se masakra e Poklekut dhe ajo e Çikatovës së Vjetërj janë edhe dëshmi e dhimbshme se si akoma nuk ka drejtësi për viktimat.

"Këtu në Poklek ka ngjarë një holokaust i vërtetë. Siç edhe e dini, diku 54 anëtarë të familjeve Muqolli, Elshani dhe të tjerë, kryesisht gra dhe fëmijë, në fakt shumica e tyre fëmijë fillimisht janë ekzektuar pastaj janë djegur dy herë në mënyrë që të eliminohen gjurmët e këtij krimi të llahtarshëm të forcave serbe në Kosovë. Kjo është një ndër dëshmitë më të fuqishme se regjimi serb kishte për qëllim shfarosjen e popullit tonë dhe kishte për qëllim që asnjë shqiptarë të mos mbrtet në tokën e Kosovës. Po ashtu edhe kjo masakër, ashtu si edhe ajo në Çikatovë të vjetër dëshmojnë egërsinë e këtij regjimi. Dhe njëkohësisht janë edhe dëshmi e dhimbshme se si akoma nuk ka drejtësi për të gjitha këto viktima të popullit tonë.", ka thënë Osmani.

Edhe kryeministri Albin Kurti është shprehur se duhet të ketë drejtësi për viktimat dhe se masakra e Poklekut është dëshmi e gjallë e gjenocidit të Serbisë.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca është shprehur se masakrat e kryera në Kosovë janë akte të gjenocidit mbi popullin dhe civilët.

Pas vizitës në shtëpinë e familjes Muqolli, i zoti i shtëpisë, Fadili para tre liderëve të shtetit ka thënë se nuk do e falin asnjëherë krimin që është kryer në shtëpinë e tij.

Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca kanë bërë homazhe edhe në Çikatovë të Vjetër.

Në Poklek të Vjetër dhe Çikatovë të Vjetër, ushtria serbe ka masakruar dhe i ka vrarë, pastaj edhe i ka djegur kufomat e 77 shqiptarëve civilë të paarmatosur, duke filluar prej foshnjave gjashtëmuajshe e deri te pleqtë 75 vjeç. /Sh.Pajaziti

https://kosovapress.com/admin/%e2%80%8b24-vjet-nga-masakra-e-poklekut-dhe-cikatove-te-vjeter/
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024