​Krasniqi: Nuk kam ndërmarrë asnjë veprim për draft-statutin e Asociacionit
Intervista
Lexohet për: 3 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka deklaruar se nuk është marrë asnjë veprim nga ekipi për draftimin e statutit për formimin e asociacionit. Ai tha se e ka të vështirë të sigurojë dokumentacion nga ekipi në të kaluarën, meqë nuk janë zhvilluar aktivitetet në mënyrë transparente.

Sipas marrëveshjes së vitit 2013 mes Kosovës dhe Serbisë, Ekipi Menaxhues do të merrte përgjegjësinë për të propozuar draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, statut ky që do të përcaktojë strukturën organizative, qëllimet, proceset vendimmarrëse dhe kompetencat e tij.

Për herë të parë në vitin 2016, Ministria e Administrimit të Vetëqeverisjes Lokale e Qeverisë së Kosovës emëroi Ekipin Menaxhues. Po, aktualisht, rreth përbërjes së këtij ekipi dihet shumë pak.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ditë më parë ka konfirmuar se deputetja e Serbisë, Danijella Vujiçiq është në krye të këtij ekipi.

Po ashtu edhe kryeministri Albin Kurti ka thënë se pjesë e ekipit janë dy serbë nga veriu, dy nga jugu, shefi i OSBE-së dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal.

Ministri i Administrimit të Pushtetit, Krasniqi, në intervistën për KosovaPress, ka deklaruar se nuk ka ndërmarrë asnjë veprim deri më tani.

Krasniqi tha se as nuk mund të flasë për afate se kur do të ketë ndonjë propozim nga ky Ekip, pavarësisht se edhe marrëveshja e fundit në Ohër kërkon që të përshpejtohet me zbatimin e marrëveshjeve të kaluara.

“Unë si ministër nuk jam pjesë aktive e dialogut dhe për këtë nuk mund të flas assesi me afate të asnjë lloji. Mirëpo unë çfarë mund të ndaj në këtë moment me juve është që nuk ka asnjë veprim të ndërmarrë deri në këto momente, si ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal në këtë drejtim”, deklaron Krasniqi.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal tha se e ka të vështirë të sigurojë dokumentacioni mbi punën e ekipit në të kaluarën.

Teksa përmend vendimin e vitit 2020 nga ish-ministri Goran Rakiq, ai tha se ky ekip teknik përbëhet prej dy anëtarëve të veriut dhe jugut të Kosovës.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë të banuara me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

Sipas marrëveshjeve, Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat kolektive të këtyre komunave, veçmas në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë.

25 vjet çlirim, a jeni të kënaqur me suksesin e Republikës së Kosovës ?
Po
Jo
Nuk e di
Voto
461
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024