Bislimi: Vuçiq, protagonisti kryesor që kërkon shtyrjen e zgjedhjeve në veri
Lajme
Lexohet për: 3 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi deklaroi sot se shtyrja e zgjedhjeve në veri të vendit nuk është opsion i mirë.

Ai tha se shtyrja e zgjedhjeve është opsion i atyre që mendojnë që tani më mirë është që veriu të shndërrohet në zonë të menaxhimit të krizave e jo të hyjë në një proces të normalizmimit të raporteve.

Bislimi potencoi se protagonisti kryesor që kërkon që të shtyhen zgjedhjet është Aleksandar Vuçiq.

“Zgjedhjet janë themel i demokracisë dhe në një demokraci të mirëfilltë janë institucionet shtetërore që e vendosin afatet për mbajtjen e tyre. Në këtë rast, zgjedhjet në veri të Kosovës, ka vullnet nga partitë politike që të jenë pjesëmarrës në zgjedhje, ky vullnet mungon vetëm nga një subjekt politik. Shtyrja nuk është opsion i mirë, është opsion i atyre që mendojnë që në këtë moment më mirë është që veriu të shndërrohet në një zonë të menaxhimit të krizave e jo të hyjë në një proces të normalizmimit të raporteve. Për momentin protagonist kryesor që kërkon shtyrjen e zgjedhjeve është z.Vuçiq, i cili edhe kërkon koncesione për pjesëmarrje në zgjedhje.”, tha ndër të tjera Bislimi gjatë një interviste për Zërin e Amerikës.

Lidhur me zgjedhjet në veri, Blerim Vela, shef i kabinetit të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani deklaroi se Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq po vazhdon të (keq)përdorë Listën Serbe për të nxitur tensionet në Kosovë. Vela potencoi se Vuçiq po kërkon të bllokojë zgjedhjet e 23 prillit në veri.

Ndërsa, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq gjatë takimit të së enjtes me serbë të Kosovës në Rashkë kërkoi nga ata që të jenë të bashkuar në vendimin për të mos dalë në zgjedhje më 23 prill në katër komunat veriore.

Kujtojmë që, ditë më parë, Lista Serbe, që ka udhëhequr me katër komunat veriore ka treguar se nuk do të marrë pjesë në zgjedhje, sipas tyre deri në formimimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në zgjedhjet e 23 prillit, për kryetarë të katër komunave në veri do të garojnë 11 kandidatë, ku vetëm dy prej tyre janë nga komuniteti serb.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale do të mbahen në veri pas dorëheqjes së kryetarëve të komunave të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut. Kryetarët e këtyre komunave dhanë dorëheqje në nëntor të vitit 2022 për shkak të vendimit qeveritar për targat ilegale serbe.

Zgjedhjet në veri fillimisht janë caktuar për datën 18 dhjetor të vitit 2022, mirëpo ato janë shtyrë pas incidenteve nga grupe kriminale serbe ndaj zyratrëve të KKZ-ve dhe pamundësisë për organizimin e tyre./Kosovapress

https://kosovapress.com/admin/vela-vuciq-kerkon-te-bllokoje-zgjedhjet-e-23-prillit/
https://kosovapress.com/admin/incidentet-ne-veri-ibishi-serbia-po-e-provokon-situaten-per-te-deshtuar-zgjedhjet/
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024