​Kuleba: Paqe e vërtetë nënkupton rivendosje të kufijve të Ukrainës
Ukrainë
Lexohet për: 2 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Të gjitha qytetet ukrainase dhe Krimeja duhet që sërish të jenë pjesë e Ukrainës dhe paqe të vërtetë mund të ketë pasi të rivendosen kufijtë e shtetit, tha ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba.

“Pa dallim... çdo qytet ukrainas, të gjithë duhet të jenë sërish pjesë e Ukrainës”, tha ai gjatë fjalimit përmes video-lidhjes në konferencën për sigurinë në Detin e Zi të mbajtur në Bukuresht, shkruan REL.

Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt të vitit të kaluar me urdhër të presidentit rus, Vladimir Putin. Ndërkaq, Moska kishte aneksuar paligjshëm gadishullin ukrainas të Krimesë më 2014 dhe që atëherë kishte mbështetur grupe separatiste që luftonin me forcat qeveritare ukrainase në rajonin lindor të Donbasit.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, vazhdimisht ka theksuar se territori i shtetit të tij nuk do të jetë subjekt i asnjë marrëveshjeje eventuale të paqes me Moskën.

Që kur ka nisur lufta, shtetet perëndimore kanë vendosur një sërë rundesh të sanksioneve ndaj entiteteve dhe individëve rusë që ndihmojnë makinerinë ushtarake të Moskës. Ndërkaq, shtetet e NATO-s dhe shtetet e tjera vazhdimisht dërgojnë ndihma ushtarake dhe ndihmë tjetër për Ukrainën, në mënyrë që ajo të mund të përballet me forcat ruse.

Aktualisht, forcat e Moskës kanë përqendruar luftën e tyre në lindje të Ukrainës, përkatësisht luftime disamujore po zhvillohen për kontrollin e qytetit të Bahmutit, që gjendet në rajonin e Donjeckut.

Pavarësisht se beteja për Bahmutin po konsiderohet si një prej më të ashprave që nga nisja e pushtimit, Ukraina ka thënë se situata në Bahmut është nën kontroll.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024