​Shtrenjtimi i energjisë, bizneset e vogla rrezikojnë falimentimin
Tema
Lexohet për: 3 min.
10 muaj më parë
Linku u kopjua

Shtrenjtimi i energjisë elektrike në masën 15.4 për qind rrezikon që shumë biznese të falimentojnë në vend, sidomos ndërmarrjet e vogla. Këto biznese nuk përjashtojnë mundësinë e falimentimit në rast se qeveria nuk merr ndonjë masë për lehtësimin e faturave me energji. Ndërkohë, të njëjtit paralajmërojnë edhe shtrenjtimin e çmimeve për produktet e tyre.

Kurse, zyrtarët të Qeverisë së Kosovës kanë thënë për KosovaPress do t’i subvencionojnë familjet dhe bizneset e vogla për të ulur konsumin e energjisë duke blerë pajisje efiçiente.

Menaxheri i njërës nga bizneset në Prishtinë, Hysni Gashi thekson për KosovaPress se ky vendim për shtrenjtimin e rrymës është në një kohë të gabuar. Sipas tij, në rast se nuk reagon qeveria, do të falimentojnë si biznes.

Edhe pronarja e një biznesi tjetër në kryeqytet, Anita Samahodaj pohon se shtrenjtimi i rrymës po e vështirëson veprimtarinë e biznesit të tyre.

Samahodaj thekson po ashtu se me rritjen e energjisë elektrike e kanë të detyrueshme t’i rrisin edhe çmimet e produkteve.

Ndërkaq për pronarin e njërës nga bizneset e mëdha në vend, Shaqir Palushi më e rëndësishme se çmimi është furnizimi i rregullt me energji elektrike. Sipas tij, në rast se nuk ka energji elektrike, bizneset e mëdha do të pësojnë më shumë humbje.

Palushi mes tjerash tha se qeveria duhet të ketë një plan strategjik si të ndihmohen bizneset në këto raste, sidomos ato që janë më të vogla.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka thënë për KosovaPress se si rrjedhojë e vendimit të ri të ZRrE, Qeveria do t’i subvencionojë familjet për konsum deri në 800 kWh, dhe po ashtu do t’i mbështes familjet dhe bizneset e vogla për të ulur konsumin e energjisë duke blerë pajisje efiçiente.

Kryeziu po ashtu ka thënë se do të mbështesin edhe grupet e cenueshme, siç janë përfituesit e ndihmës sociale në lidhje me energjinë.

Tarifat e reja të energjisë elektrike kanë hyrë në fuqi nga data 1 prill dhe do të jenë të vlefshme deri më 31 mars të vitit 2024.

Sipas vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), për konsumatorët që shpenzojnë deri në 300 kilovatë në orë, rritja do të jetë 2 euro e 88 centë, deri në 450 kilovatë në orë, rritja do të jetë 4 euro e 18 centë, deri në 600 kilovatë në orë, rritja do të jetë 5 euro e 49 centë, deri në 800 kilovatë në orë rritja do të jetë 7 euro e 23 centë. Ndërsa, ata që harxhojnë deri në 1000 kilovatë në orë rritja do të jetë 10 euro e 51 centë, ndërsa për ata që shpenzojnë 1200 kilovatë në orë, rritja do të jetë 13 euro e 80 centë./E. Krasniqi/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024