​Aplikimi për anëtarësim në BE, Bislimi këtë muaj në Suedi
Tema
Lexohet për: 3 min.
10 muaj më parë
Linku u kopjua

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi do të ketë një vizitë gjatë këtij muaji në Suedi për të diskutuar për shqyrtimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, gjatë presidencës suedeze të Këshillit të BE-së.

Nga zyra e Bislimit thonë se aplikimi i Kosovës për marrjen e statusit vend kandidat për anëtarësim në BE ka marrë mbështetje të gjerë të shteteve anëtare dhe institucioneve të BE-së, për çka janë të kontakt të vazhdueshëm me shtetet partnere, veçmas me Suedinë, e cila mban presidencën e Këshillit të BE-së deri në qershor. Përkitazi me këtë, shprehën optimist se do të ketë zhvillime pozitive brenda këtij viti për pranimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE.

Mirëpo, ndryshe këtë proces e shohin dy partitë opozitare, PDK dhe LDK dhe njohësit e proceseve integruese të BE-së, të cilën konsiderojnë se rruga e Kosovës në Bashkim Evropian varet nga dialogu Kosovë-Serbi dhe pesë vendet mosnjohëse të Kosovës.

''Gjatë këtij muaji, pritet që zëvendëskryeministri Bislimi të ketë dhe një vizitë në kryeqendrën suedeze, për të forcuar bashkëpunimin tonë dhe rrugën përpara të Kosovës në proceset e integrimit evropian'', thotë Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit Bislimi në një përgjigje me shkrim për KosovaPress.

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, thotë për KosovaPress se aplikimi për anëtarësim në BE është bërë vetëm sa për foto në rrjete sociale, pasi shqyrtimi dhe pranimi i aplikacionit nuk është i mundur pa pesë vendet mosnjohëse të BE-së ndaj Kosovës.

Ajo shton se institucionet kosovare nuk kanë bërë asnjë hap përpara me asnjërën prej këtyre pesë vendeve, rrjedhimisht ato do të jenë kategorike kundër pranimit të aplikacionit të Kosovës për statusin vend kandidat për anëtarësim në BE.

Skeptike për shqyrtim të aplikacionit të Kosovës gjatë këtij viti është edhe deputetja e LDK-së, njëherësh edhe kryetare e Komisionit parlamentar për integrime Evropiane, Rrezarta Krasniqi.

Ajo thotë për KosovaPress se proceset integruese të Kosovës janë lidhur ngushtë me dialogun me Serbinë.

Në anën tjetër, njohësi i integrimeve evropiane, Dorajet Imeri, thotë për KosovaPress se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE më shumë ka qenë strategjik, për të treguar orientimin properëndimor, pasi, sipas tij, realisht është ditur se aplikacioni i Kosovës nuk do të merret parasysh për një kohë.

Më 15 dhjetor të vitit të kaluar, Kosova ka dorëzuar aplikacionin për anëtarësim në Bashkimin Evropian nën presidencën çeke.

Prej 1 janarit deri më 30 qershor të këtij viti Presidencën e Këshillit të BE-së e mban Suedia, kurse në gjysmën e dytë të vitit presidencën e BE-së do të ketë Spanja./E.Zeqiri/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024