Eriksen i gatshëm kundër Evertonit? Flet Ten Hag
Christian Eriksen mund të bëjë paraqitjen e tij të parë te Manchester United që nga janari, kur “Djajtë e Kuq” e presin Evertonin të shtunën, ka zbuluar trajneri Erik ten Hag.
Eriksen nuk ka luajtur që nga fitorja në FA Cup kundër Reading në fund të janarit, pasi pësoi një lëndim në kyçin e këmbës gjatë asaj ndeshje, raporton KosovaPress.
United fillimisht e trajtoi mirë mungesën e mesfushorit pasi fitoi Carabao Cup në shkurt, megjithëse lojtarët e Ten Hag duruan një ecuri prej tre ndeshjesh pa fitore në Premier Ligë, përpara fitores 1:0 mbrëmë ndaj Brentfordit.
I pyetur nëse Eriksen mund të rikthehet kundër Evertonit, Ten Hag i tha “Viaplay” në Danimarkë: "Do të shohim. Ne e shohim atë nga dita në ditë. Ai është duke përparuar. Ai është kthyer vetëm në stërvitjet e ekipit këtë javë. Kemi dy seanca. Pas kësaj, ne do të vendosim nëse ai do të kthehet përsëri në skuadër", tha Ten Hag.
United ka fituar 63.2% të ndeshjeve të Premier Ligës në të cilat Eriksen është paraqitur këtë sezon (12 nga 19), krahasuar me 44.4% të atyre që i ka munguar (katër nga nëntë).