Mirëpritet dakordimi për të zhdukurit, kërkohet zbatimi i plotë i marrëveshjes bazë
Tema
Lexohet për: 3 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Pajtimi mes Kosovës dhe Serbisë të martën në Bruksel për tekstin e deklaratës së personave të zhdukur po mirëpritet nga opozita dhe njohësit e procesit të dialogut. Sipas tyre, nuk mund të ketë një proces të pajtimit dhe të paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për aq kohë sa nuk mbyllen çështjet e hapura nga e kaluara. Dakordimi i kryenegociatorit të Kosovës për dialog, Besnik Bislimi dhe atij serb, Petar Petkoviq pritet t’i hapë rrugë nënshkrimit të deklaratës nga niveli i lartë në dialog, derisa konsiderohet se ky momentum pozitiv pritet të reflektojë edhe në zbatim të plotë të marrëveshjes bazë.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi thotë për KosovaPress se krahas marrëveshjes për të zhdukurit duhet të zbatohet edhe marrëveshja për energjinë. Ajo shtoi se qeveria duhet t’iu qëndrojë prapa zotimeve të veta edhe për Asociacionin e komunave me shumicën serbe.

Ndërkaq, njohësi i procesit të dialogut, Dorajet Imeri thotë për KosovaPress se pas takimit të djeshëm ka disponim pozitiv për zbatim të marrëveshjes bazë Kosovë-Serbi.

Megjithatë, ai përmend edhe obligimin që Kosova e ka në bazë të aneksit të zbatimit të marrëveshjes, ku brenda një afati të caktuar kohor duhet të fillojë së jetësuari planin për zbatimin e Asociacionit.

Pavarësisht kësaj, Imeri thotë se Serbia përmes krijimit të tensioneve në veri mund të tentojë të prolongojë zbatimin e marrëveshjes .

Në anën tjetër, kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, thënë se me marrëveshjen e dakorduar të martën në Bruksel, Serbia ka pranuar deklaratën për personat e zhdukur me dhunë, e sipas tij, kjo nënkupton hapjen e arkivave dhe prezantimin e dokumenteve sekrete mbi vendndodhjen e personave të zhdukur me dhunë.

“Për herë të parë pas shumë sfidave dhe pas 24 vitesh arritëm ta imponojmë adresimin e drejtë të përgjegjësisë për të zhdukurit, si viktima të luftës që kërkojnë zgjidhje dhe drejtësi në bazë të konventave ndërkombëtare. Prandaj më nuk do të ketë vetëm persona të zhdukur, por persona të zhdukur me dhunë nga shteti serb”, shkroi ai në “Facebook” të mërkurën.

Gjatë të mërkurës, dakordimin e mirëpriti edhe përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme, Josep Borrell, i cili u shpreh se marrëveshja për të zhdukurit është hapi i parë i përmbushjes së zotimeve nga marrëveshja bazë e 27 shkurtit në Bruksel.

Pas takimit trilateral të martën në Bruksel, Bislimi u shpreh se takimi i radhës i nivelit të lartë në dialog mund të mbahet më 22 prill.

Në kuadër të marrëveshjes bazë për dialogun dhe aneksit të zbatimit, Kosova dhe Serbia janë pajtuar që çështja e të zhdukurve të trajtohet si urgjencë./E.Zeqiri/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024