Flamujt e NATO-s ngrihen në Helsinki, teksa Finlanda i bashkohet sot aleancës
Bota
Lexohet për: 2 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Nga 4 prilli, Finlanda do të jetë anëtarja më e re, e 31-ta, e NATO-s. Ceremonia e pranimit pritet të zhvillohet sot në orën 15:30 në Bruksel.

Ndërkohë, në Helsinki, flamujt e NATO-s u ngritën së bashku me flamurin kombëtar finlandez para ndërtesës së Ministrisë së Punëve të Jashtme, një ndërtesë që fillimisht u ndërtua për ushtrinë e Perandorisë ruse në shekullin XIX, shkruan REL.

Aplikimi për anëtarësimin e Finlandës në aleancën ushtarake është nxitur nga lufta e Rusisë në Ukrainë, e nisur më 24 shkurt 2022, përcjell KosovaPress.

Finlanda ndan një kufi të gjatë, prej mbi 1.000 kilometrash, me Rusinë.

Suedia, po ashtu, ka aplikuar për anëtarësim në NATO, në të njëjtën kohë me Finlandën, mirëpo Turqia është duke e bllokuar me arsyetimin se është duke mbështetur “terroristët".

Çdo zgjerim i NATO-s duhet të bëhet me mbështetjen e të gjitha vendeve anëtare - pra ratifikimin e aplikimit për anëtarësim me qëllim që të pranohen shtetet e tjera.

Finlanda, Suedia dhe Turqia në qershorin e vitit të kaluar arritën një marrëveshje trepalëshe, por Ankaraja pezulloi negociatat me Suedinë pas një proteste të mbajtur në janar në Stokholm, ku para ndërtesës së Ambasadës turke u dogj një Kuran.

Më saktë, Ankaraja dëshironte që Helsinki dhe Stokholmi të mbajnë qëndrim më të ashpër kundër Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), e cila konsiderohet grup terrorist nga Turqia dhe aleatët e saj perëndimorë, si dhe ndaj një grupi tjetër të cilin e fajëson për përpjekjen e vitit 2016 për grusht shteti.

Por, më 9 mars, dy shtetet rinisën bisedimet në Bruksel.

Erdogan tha se anëtarësimi i Suedisë në aleancën ushtarake perëndimore do të varet drejtpërdrejt në masat që ndërmerr sa i përket kërkesave turke lidhur me terrorizmin.

Ankaraja ka refuzuar që të ratifikojë aplikimimin e Stokholmit në NATO, edhe për shkak të refuzimit të Suedisë që të ekstradojë dhjetëra të dyshuar, që Turqia pretendon se janë të lidhur me luftëtarët kurdë dhe me puçin e dështuar të vitit 2016.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024