Fondet e IPA II, Kosova përfituese e 7.5 milionë eurove në kuadër të bashkëpunimit me Malin e Zi
Tema
Lexohet për: 7 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Qytetarët e zonës kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi kanë përfituar nga programi IPA i bashkëpunimit ndërkufitar mes dy vendeve përmes projekteve të financuara nga Bashkimi Evropian. Gjakova, Deçani, Peja e Klina në vendin tonë kanë qenë përfituese të projekteve të ndryshme të këtij programi në vlerë prej 7.2 milionë eurosh.

Qëllimi i përgjithshëm i këtij programi ka qenë të përmirësojë standardet dhe cilësinë e jetës së njerëzve në këtë zonë nëpërmjet një zhvillimi ekonomik, social dhe mjedisor të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës të rajonit në respekt të trashëgimisë së përbashkët kulturore dhe natyrore.

Programi është arritur nëpërmjet projekteve të përbashkëta si, promovimi i punësimit, lëvizshmëria e ofertës së punës dhe përfshirjes kulturore dhe sociale përmes kufirit, mbrojtja e mjedisit, promovimi i ndryshimeve klimatike dhe masave për zbutjen e tij, menaxhimi dhe parandalimi i rreziqeve dhe inkurajimi i turizmit, kulturës dhe trashëgimisë natyrore.

Të kënaqura nga ky projekt janë shprehur edhe nga komunat përkatëse.

“Të bashkuar kundër ndotjes – UAP” është projekt i implementuar nga Komuna e Gjakovës, Komuna e Petnicës në Mal të Zi, organizata “Let’s do it Peja” dhe Qendra për Zhvillim Rajonal – Rozhajë”, në vlerë mbi 298 mijë euro.

Përmes këtij projekti janë mbajtur me dhjetëra punëtori për ngritjen e kapaciteteve të pastrimit si dhe janë mbajtur aksione për eliminimin e deponive ilegale të mbeturinave. Gjithashtu, janë shpallur konkurse për lagjet me të pastra dhe me të gjelbra.

Udhëheqësja e sektorit për menaxhimin e mbeturinave në Komunën e Gjakovës, Albana Bakalli, tha se ky projekt ka qenë shumë i rëndësishëm për komunën. Derisa ka falënderuar BE-në për financim, Bakalli tha se mirëpresim edhe projekte tjera të tilla.

"Për Komunën e Gjakovës ka qenë shumë përkrahje e madhe në ndërtimin e oborrit riciklues. Bashkëpunimi gjithmonë ka ecë mirë, në bazë të profesionalizimit që ka treguar organizata në bashkëpunim me Komunën. Ne mirëpresim edhe projekte të tjera në bashkëpunim me organizatat e ndryshme dhe komunat e Shqipërisë dhe Malit të Zi", tha Bakalli.

Deçani, falë programit IPA për bashkëpunim ndërkufitar Mal i Zi-Kosovë, ka përfituar një shtëpi për bjeshkatarët në bjeshkët e Belegut. Po ashtu, janë duke u zhvilluar 200 km të shtigjeve të reja për shëtitje, çiklizëm, ecje në borë dhe ski-vrapim, bashkë me Komunën malazeze të Andrijevicës.

Po ashtu, po mbështeten dhjetëra familje të cilët merren me turizëm përmes trajnimeve të ndryshme dhe me pajisje

Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj është shprehur i lumtur që projekti ka arritur në fazën përfundimtare.

"Ne kemi filluar ta projektojmë dhe realizojmë këtë projekt gjatë vitit 2018, dhe na është dhënë mundësia që gjatë vitit 2019 me pas një vendim të Asamblesë Komunale, ku ky vend destinohet për vend turistik. Në ndërkohë ka lindur bashkëpunimi edhe me fondet e BE-së, ku ne jemi përfitues të shumës përafërsisht 170 mijë euro nga ana e tyre në bashkëpunim me Malin e Zi... Në ndërkohë projekti ka marrë përmasa edhe më serioze, është shkuar duke u komponuar edhe me elemente të tjera që të bëhet një qendër me kompetencë, që t'i përmbushë nevojat e këtij qyteti”, tha Ramosaj.

Peja ka qenë përfituese e dy projekteve shumë të rëndësishme. “Trashëgimia kulturore – Thesari i Rajonit Ndërkufitar” i implementuar nga Komuna e Pejës dhe ajo e Gucisë në Mal të Zi, në vlerë mbi 360 mijë euro. Si dhe "Bjeshkët e Nemuna – destinacion i jashtëzakonshëm” impelemntuar edhe me Agjencitë për Zhvillim Rajonal në Kosovë e Mal të Zi.

Falë projektit të parë, Peja dhe Gucia kanë zhvilluar një shteg kulturor të qytetit dhe një shteg të përbashkët malor. Janë bërë ndërhyje në Muzeun e Pejës, është bërë inventarizimi i objekteve me rëndësi kulturore, janë vendosur tabela informuese në të dy komunat ndërsa është ngritur pika informative në komunën e Gucisë.

Projekt menaxheri i projektit ndërkufitar mes Kosovës dhe Malit të Zi në Komunën e Pejës dhe Gucisë, Nermin Kastrati ka treguar për procedurën e punës, i cili tha se çdo gjë ka shkuar mirë falë përkushtimit të të gjithë partnerëve.

"Projekti ka zgjatur 26 muaj, pra me dy muaj shtesë. Kostoja është mbi 400 mijë euro, nga këto 85% e financimit nga BE dhe 15 për qind nga komunat", tha Kastrati.

Në projektin për Bjeshkët e Nemuna, janë krijuar 332 km shtigje për ecje, çiklizëm dhe shtigje tematike. Janë vendosur dhjetëra vendparkime për biçikleta në anën e Kosovës dhe Malit të Zi.

Po ashtu, janë organizuar panaire ndërkufitare për promovimin e turizmit në natyrë. Janë prodhuar broshura të detajuara dhe harta për shtigje. Po ashtu, janë përmirësuar shërbime online për më shumë se 150 ofrues të shërbimeve të udhëtimit.

Sokol Luta nga Agjencia për Zhvillim Rajonal në Pejë tha se projekti ka pasur për qëllim zhvillimin e turizmit në këtë zonë.

"Qëllimi i projektit ka qenë zhvillimi i turizmit në ketë zonë të Bjeshkëve të Nemuna, në pjesën e Kosovës dhe Malit të Zi, ku si pjesë e projektit janë zhvilluar rreth 330 km të reja të shtigjeve për ecje dhe shtigjeve për çiklizëm, kjo ka qenë elementi kryesor. Përmes kësaj janë vendosur sinjalizime, shtylla, markim i shtigjeve, janë zhvilluar harta elektronike por edhe në formë të shtypur për turistë e tabela informuese", tha Luta.

Klina ka qenë njëra ndër komunat që ka përfituar nga projekti për “Veprimet ndërkufitare në sektorin e shëndetit riprodhues”. Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në këtë komunë ka përfituar pajisje, ndërsa mjekët kanë marrë pjesë në trajnime të specializuara si dhe janë organizuara dhjetëra ligjërata, e është shënuar edhe muaj i ndërgjegjësimit për muajin e kancerit të gjirit.

Gazmend Bojaj, specialist i mjekësisë familjare në këtë komunë, është shprehur i lumtur nga ky projekt.

Bojaj tha se në fillim kanë pasur dyshimet nëse mund të realizohet, mirëpo sipas tij tani rezulton të jetë rezultuar mjaftë suksesshëm.

"Ne si QKMF kemi hezituar që mund të realizohet ky projekt, por projekti është realizuar dhe ka qenë jashtëzakonisht i suksesshëm duke ju falënderuar fondit të BE-së, i cili ka qenë i mirëseardhur edhe për qytetarët e Komunës së Klinës, por edhe për të gjithë stafin në QKUK", tha Bojaj.

Zyrtarja e lartë për bashkëpunim ndërkufitar në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, Fatmire Berisha deklaroi se nga viti 2024 do ketë edhe projekte të tjera të tilla, në të cilën komunat mund të aplikojnë.

"Me këtë mund të konkludojmë se me kontraktimin e 23 projekteve, përmbyllja e IPA II është i suksesshëm, meqë si ministri në bashkëpunim me ministrinë për çështje evropiane kemi arritur të kontraktojmë gjithë shumë e adekuar në kuadër të IPA II... Tash nga viti i ardhshëm 2024 do të fillojmë me IPA III dhe do të ketë edhe projekte dhe thirrje tjera për propozime", tha Berisha.

Së fundi janë kontraktuar 10 projekte të reja në kuadër të thirrjes së tretë në vlerë prej 3.2 milionë eurove financim dhe bashkëfinancim në kuadër të Programit të Bashkëpunimit Ndërkufitar Mali i Zi-Kosovë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024