Pjetër Shala kërkon që dëshmitarët të dëgjohen në seanca publike
Lajme
Lexohet për: 4 min.
11 muaj më parë
Linku u kopjua

Avokati mbrojtës i Pjetër Shalës, Jean-Louis Gilissen, ka kërkuar që seancat në këtë proces gjyqësor të jenë sa më shumë publike. Sipas tij, një gjykim duhet të jetë publik për të qenë i drejtë, por duke mos përjashtuar kujdesin e sigurisë për të dhënat identifikuese të dëshmitarëve.

Në fillim të seancës, Gilissen ka folur rreth vendimit të Shalës për të mos marrë pjesë fizikisht në gjykatore dhe sipas tij një gjë e tillë po ndodh për shkak se pjesa më e madhe e dëshmive po mbyllen për publikun.

Sipas tij, Pjetër Shala kishte kontaktuar të martën me disa të njohur në Belgjikë të cilët i kishin thënë se nuk po kuptojnë asgjë nga ajo çfarë po ndodh në sallën e gjyqit, për shkak të dëshmia po dëgjohet në seancë private.

"E takova dje në mbrëmje në objektin e paraburgimit, ishte shumë e vështirë të flisje me të, dhe dje humbëm, Shala nuk e ndoqi seancën, mund të them që sistemi gjyqësor po ashtu e humbi zotin Shala, është e dëshirë e zotit Shala të jetë i pranishëm, ai dëshiron të jetë i pranishëm gjatë seancave. Kur ai më shpjegoi, dhe unë jam shumë i ndjeshëm sepse është shumë delikate, më tha arsyen pse, ai e vlerëson që jemi të gjithë profesionistë dhe duhet ta mendojmë nga një pikëpamje më e gjerë, më tha se ajo që ndjeu ai, mbase për mirë apo për keq, ishte shumë e dhimbshme për të që po dëgjonte shumë nga gjërat që nuk po thuheshin në publik”, ka thënë avokati.

Lidhur me këtë, nga Zyra e Prokurorit të Specializuar kanë thënë se janë përpjekur që dëshmitarët t’i marrin në pyetje sa më shumë në seanca publike por sipas tyre kjo nuk është e mundur gjatë gjithë kohës.

Ndërsa mbrojtësi i viktimave, Simon Laws, ka thënë se prioritet duhet të jetë siguria e dëshmitarëve.

E kryetarja e turpit gjykues, Mappie Veldt Foglia ka thënë se nëse trupi gjykues e kupton që një pjesë e transkriptit të seancave që është në privat mund të rikalsifikohet si publik, do ta bëjnë një gjë të tillë.

Këtë seancë Pjetër Shala po e ndjek nga qendra e paraburgimit, përmes video-lidhjes.

Ish-pjesëtari i UÇK-së është larguar të martën nga salla e gjyqit dhe ka vendosur të marrë pjesë në gjykimin kundër tij vetëm përmes video-lidhjes. Mbrojtja e tij ka thënë se ai nuk është ndjerë mirë dhe ka qenë nervoz.

Në Dhomat e Specializuara në Hagë po dëgjohet dëshmitari i dytë i mbrojtur i prokurorisë dhe pjesa më e madhe e dëshmive nuk janë të hapura për publikun ose transmetohen me përmbajtje të redaktuar.

Në qendrën e paraburgimit në Hagë, Shala ndodhet prej marsit të vitit 2021.

Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet z.Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

https://kosovapress.com/admin/pjeter-shala-largohet-nga-salla-e-gjyqit-avokati-ai-po-dridhej-dhe-eshte-ne-ankth/
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024