Stereotipat mediale po i largojnë nxënësit e komuniteteve nga shkolla
Edukimi Medial
Lexohet për: 5 min.
11 muaj më parë
Linku u kopjua

Përdorimi i stereotipeve në raportimet e mediave po largon nxënësit e komuniteteve rom, ashkali e egjiptian nga shkolla. Kjo është vetëm një nga konkluzionet e nxjerra nga trajnimet e mbajtura mbi edukimin mediatik. Të rinjve të komuniteteve po ashtu u mungojnë programe për këtë dukuri dhe janë të rrezikuar nga informacioni i rremë. Për këtë të fundit, jo rrallëherë ata kanë pësuar në jetën e tyre duke u stigmatizuar, bullizuar e përjashtuar. Aktivistë të shoqërisë civile nga tri komunitetet gjatë ditës së sotme kanë marrë pjesë në punëtorinë e mbajtur nga Agjencia e Lajmeve “KosovaPress” dhe organizata joqeveritare “Young Community Leaders Center/ YCLD” të mbështetur nga Ambasada Amerikane në Prishtinë.

Nuk janë të rralla rastet e vajzave dhe djemve të komuniteteve të cilët janë paragjykuar si shkak i dezinformimit, kështu tregon aktivistja nga Mitrovica, Florentina Jahja. Ajo për KosovaPress përmend rastet kur bashkëmoshatarët e saj janë etiketuar nga mediat, ani pse lajmet kanë qenë të rreme.

“Ka qenë një rast që është ndikuar një vajzë shumë nga mediat, e kanë përdor emrin e saj që është dhe pastaj ajo vajzë është paragjykuar se kanë thënë që ka pasur ngacmim seksual në taxi dhe është paragjykuar nga rrethi, nga familja. Ndërkohë që vajza nuk ka qenë as në Mitrovicë dhe as nuk ka qenë aty. Por dikush ka dashur që t’i bëjë keq... Një media nga Facebook ka shkruar që është bërë një ngacmim seksual në Mitrovicë nga lagjja jonë dhe e kanë cekur emrin, gjithë lagjja e ka parë lajmin. Dhe pastaj ajo vajza është paragjykuar se ka qenë vet ose ‘pse ke hipur ti natën vet në taksi’ dhe ajo vajza ka pasur shumë probleme”, tregon ajo për KosovaPress.

Derisa përmend raste të ngjashme, Florentina flet edhe për rëndësinë e edukimit mediatik për të rinjtë e komuniteteve rom, ashkali e egjiptian.

“Të rinjtë kanë shumë pak informata se si po i përdorin mediat dhe nuk kanë informim se sa keq i përdorin mediat. Për të na treguar neve si komunitet që jemi të këqij ose tregojnë vetëm anët që i kemi të këqija. Për shembull vijnë në lagje dhe bëjnë xhirime dhe i përdorin fëmijët. Shfaqin mbeturinat dhe anët e mira që i kemi nuk na i shfaqin fare. Dhe kjo krijon një mesazh që komunitetet janë vetëm të këqij dhe nuk ka njerëz që janë të shkolluar”, shprehet ajo.

Gjatë projektit shtatë mujor në katër komuna të Kosovës mbi edukimin mediatik të ndarë në dy faza, janë nxjerrë gjashtë konkluzione.

Menaxheri i këtij projekti, Fadil Miftari thotë se fokusi kryesor gjatë procesit dyfazor të trajnimeve ka qenë që të grumbullohen gjetjet dhe të ndihmojnë aktivistët në luftimin e dezinformatave.

“Sot ka qenë takimi përmbyllës i një cikli dyfazor të trajnimeve të projektit në fjalë për dezinformimin. Në fakt, dita e sotme u dedikua ose target e kishim aktivistët e shoqërisë civile me të cilët i ndamë gjetjet nga trajnime të cilat i kemi mbajtur nëpër shkolla të mesme dhe mësimdhënësit e shkollave të mesme të cilët u japin mësim nxënësve të komuniteteve rom, ashkalinj dhe egjiptian. Në fakt gjashtë gjetjet kryesore i ndamë me aktivistët e shoqërisë civile dhe për t’iu ndihmuar këtyre organizatave për të gjetur forma dhe modalitete se si të qojnë proceset përpara ose se si të krijojnë programe dhe projekte kundër dezinformimit”, thotë Miftari.

Në sesionet me mësimdhënës e nxënës të komuniteteve është përmendur mungesa e programeve për edukimin mediatik, përdorimi i stereotipeve në raportimet e mediave të cilat largojnë nxënësit nga shkolla, talente në mesin e nxënësve, roli i mësimdhënësve për t’i nxitur të rinjtë, mundësi të pakta për të rinjtë të familjarizohen me botën e medias dhe rreziku që vjen për ta nga informacioni i rremë

“Njëra nga gjetjet kryesore që ne diskutuam sot është fakti që mungojnë modulet për edukimin mediatik. Nuk është ky problem vetëm tek komunitetet të cilat ne i kemi target, mirëpo përgjithësisht në sistemin arsimor të Kosovës mungon një program i tillë dhe mbetet ne si media apo si shoqëri civile që të ndërhyjmë dhe të suportojmë komunitetet që të edukohen në raport me dezinformimin dhe format e tjera të cilat sot konsiderohen nën ombrellën ‘fake news’”, përfundon menaxheri i projektit.

Miftari shton se po bëjnë përpjekje që të vazhdojë ky program edhe me komunitete të tjera mbi edukimin medial. Sipas tij, kjo dukuri është shqetësuese gjithandej në botë, për çka po merren edhe masa.

Nga ky projekt është synuar ngritja e vetëdijes së komuniteteve kundër dezinformimit, si dhe fuqizimi i rolit të aktivistëve të shoqërisë civile nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian.

Projekti ka përfshirë dy faza, ku në fazën e parë kanë qenë të përfshirë mësimdhënësit e shkollave fillore nga klasa e gjashtë deri në të nëntën. Ndërkaq, në fazën e dytë profesorët dhe nxënësit e nivelit të mesëm shkollor nga klasa 10 deri në 12. /Sh.Pajaziti

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024