Kërcënimi nga lajmet e rreme është global dhe prek secilin
Lajme
Lexohet për: 4 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Kërcënimi që vjen nga lajmet e rreme dhe dezinformatat është global dhe prek secilin në shoqëri.

Kështu u tha sot në Mitrovicë, gjatë trajnimit me mësimdhënës dhe nxënës të nivelit të mesëm shkollor, me temën ‘Keqinformimi, dezinformimi dhe informimi keqdashës’, në kuadër të projektit ‘Edukimi mediatik për mësimdhënësit dhe nxënësit e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian’.

Mësimdhënësit dhe nxënësit të cilët kanë marrë pjesë në këtë trajnim, kanë improvizuar situata të ndryshme, duke përfshirë edhe lajme me informata të pasakta dhe duke sqaruar efektin e tyre negativ.

Linda Baleta, trajnere në këtë projekt, ka bërë të ditur për KosovaPress, se tema e trajtuar sot është shumë e rëndësishme për secilin individë, sepse kërcënimi që po i kanoset shoqërisë njerëzore nga dezinformimi prek secilin individë njëjtë.

Lexo po ashtu
Parashikimi i motit
Sipas saj, trajnimet e tilla janë të domosdoshme për të gjitha grupmoshat, në veçanti për të rinjtë.

‘Pavarësisht titullit të këtij projekti, në fakt tema është shumë e rëndësishme për secilin individë, sepse kërcënimi që po i vjen të gjithë shoqërisë njerëzore nga dezinformimi, keqinformimi dhe propaganda, prek secilin individë njëjtë. Prandaj trajnimet si ky janë të domosdoshme për të gjitha grupmoshat, por në veçanti për të rinjtë të cilët janë konsumatorët më të mëdhenj të rrjeteve sociale’ , ka thënë Baleta.

Hamide Hyseni nga komuniteti ashkali, nxënëse e klasës së 11-të në gjimnazin ‘Frang Bardhi’, në Mitrovicë, duke thënë se dezinformimi i prek të gjithë pa dallim, potencoi se të rinjtë kanë nevojë të madhe për trajnime të tilla.

‘Trajnime të tilla janë të nevojshme për shkak se këso materiali nuk paraqitet nëpër shkolla, mirëpo veç tekste shkollore. Vet si adoleshentë dhe të rinj kemi nevojë për trajnime të tilla të cilat ngrisin kapacitetin tonë nëpër fusha të ndryshme, na japin njohuri për qasje të ndryshme dhe për gjërat që na nevojiten në jetën tonë,..Dezinformimi i prek të gjithë, jo vetëm një pjesë të grupit të caktuar’, theksoi Hyseni.

Edhe Xhelal Hama, profesor i historisë në gjuhën boshnjake në gjimnazin ‘Frang Bardhi”, në Mitrovicë, theksoi se lajmi i rrejshëm prek të gjithë, andaj të rinjtë duhet të edukohen në mënyrë që të identifikojnë lajmet e vërtetë nga të pavërtetat.

“Është një trajnim jashtëzakonisht i qëlluar i cili përmbledhë të gjitha elementet e jetës bashkëkohore sot, duke marrë parasysh se jetojmë një jetë globale, ndërsa bota informative është në vendin e parë…Lajmi i rrejshëm prek të gjithë, pra këtu duhet të edukohen të gjithë të rinjtë që të munden të dallojnë lajmin e vërtetë nga ai i pavërtetë’, tha ai.

Ndryshe, ky projekt shtatëmujor, ku synohet ngritja e vetëdijes të komuniteteve kundër dezinformimit, si dhe fuqizimi i rolit të aktivistëve të shoqërisë civile nga komunitetet rom, ashkalinj dhe egjiptian, është organizuar nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress, së bashku me organizatën joqeveritare ‘Young Community Leaders Center’ (YCLC).

Projekti, edukimi mediatik kundër dezinformimit për mësimdhënësit, nxënësit dhe aktivistët e shoqërisë civile nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, mbështetet nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024