Të rinjtë e komuniteteve rom, ashkalinj dhe egjiptian shpesh të bullizuar si pasojë e keqinformimit
Lajme
Lexohet për: 5 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Shumë fëmijë të komuniteteve rom, ashkalinj e egjiptian po ndërprenë mësimin si shkak i bullizmit. Etiketimi i tyre në media për shkak të kushteve të rënda financiare dhe puna që detyrohen të bëjnë për të mbijetuar, jo rrallë herë ka ndikuar te fëmijët. Të rinjtë e tri komuniteteve po ballafaqohen me bullizëm dhe stigmatizim në shkolla, për çka heqin dorë edhe nga arsimimi.

Kështu u tha në trajnimin e sotëm, ku rreth 20 nxënës dhe mësimdhënës të shkollave në Fushë Kosovë, janë trajnuar mbi edukimin mediatik.

Sot po ashtu ka filluar faza e dytë e trajnimeve të mësimdhënësve me temën "Keqinformimi, dezinformimi dhe informimi keqdashës", në kuadër të projektit "Edukimi mediatik për mësimdhënësit e nxënësve të komuniteteve rom, ashkalinj dhe egjiptian".

16 vjeçari, Olti Currolli i cili vijon mësimin në shkollën "Minatori", tregon se shumë nga bashkëmoshatarët e tij, kanë lënë në gjysmë shkollimin.

"Ka pasur shumë raste që vijnë tek ne (mediat) dhe xhirojnë, por nuk i xhirojnë rastet e mira, i xhirojnë fëmijët që dalin të mbledhin kanaqe dhe kjo sipas kësaj është që gjysma e shokëve e kanë lënë shkollën. Se i vjen keq t'i reklamojë dikush që mbledh kanaqe dhe në shkollë kur të vjen në shkollë i tregojnë për atë rast  që e kanë pa) edhe e lë shkollën për atë", tregon Currolli.

Këto raste nuk janë të pakta, thotë profesoresha e gjuhës angleze në shkollën profesionale "Minatori", Shkurta Sertolli.

"Paraqitet një pamje vizuele jo e mirë, merret fotografia plasohet diku, atëherë është i zhgënjyer....e kanë bërë fotografi se kemi mjete digjitalizimi, kanë bërë fotografi dy-tre fëmijë duke i marrë kanaqet, është paraqitur gjysmë fytyra e fëmijëve. E dimë gjendjen sociale, por nuk bën në mënyrë vizuele që të paraqitet, është një humbje besimi dhe dy hapa prapa e komunitetit që kanë dalur. Është e dëmshme shumë e përgjithësi por edhe për komunitetet tjera. Nuk është reale ajo, se nesër ai fëmijë mund të bëhet doktor", shprehet ajo.

Sipas saj, fëmijët po atakohen me një numër të madh të informacioneve, të cilat në raste po cenojnë dinjitetin e fëmijëve të komuniteteve rom, ashkalinj dhe egjiptian.

Ensar Mustafa, i cili po ashtu vijon mësimin në shkollën profesionale "Minatori", thotë se trajnime të tilla iu ndihmojnë që të identifikojnë lajmet e rreme.

"Me i analizuar mirë edhe i cekëm disa gjëra për mediat, për radiot. Për mua janë të rëndësishme goxha shumë sepse ka disa që bëjnë lajme të rreme...Ka të ri që bëjnë video në tik-tok ose në instagram që i shfaqin dhe bëjnë meme me ato video, ku nuk kanë shumë lidhje me atë gjëra dhe i qesin në pozitë të keqe dhe je i frikësuar me postuar video për shkak i bëhet virale dhe kur del në rrugë të bullizojnë", tregon ai për KosovaPress.

Menaxheri i projekti, Fadil Miftari thotë se është me rëndësi që të rinjtë të arrijnë të dallojnë lajmet e vërteta nga ato të cilat kanë qëllim keqinformimin.

"Ky aktivitet është rifillimi i një cikli trajnimesh, që do të mbahen në katër komuna të Kosovës. Fillon me Fushë Kosovën, vazhdon me Mitrovicën, Prizrenin dhe Gjakovën. Ky aktivitet është pjesë e projektit "Edukimi Mediatik për mësimdhënësit dhe të rinjtë e komuniteteve". Projekti synon vetëdijesimin e të rinjve të këtyre kategorive se si të mbrohen kundër dezinformimit. Siç dihet, dezinformimi është bërë një shqetësim global jo vetëm në shoqërinë tonë, gjitha shoqëritë janë duke u ballafaquar me një sfidë me dezinformimin, sepse interneti dhe teknologjia e botës bashkëkohore ka mundësuar që çdo kush të plasojë, si të dojë dhe çfarë të dojë", u shpreh ai.

Nxënësit dhe mësimdhënësit që kanë marrë pjesë në këtë trajnim, kanë improvizuar edhe edicion lajmesh, me informatat kryesore të ditës së shtunë.

Me mbështetjen financiare nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, Agjencia e Lajmeve "KosovaPress", së bashku me organizatën joqeveritare "Young Community Leaders Center/ YCLC", po organizon këto trajnime në kuadër të projektit shtatëmujor, ku synohet ngritja e vetëdijes të komuniteteve kundër dezinformimit, si dhe fuqizimi i rolit të aktivistëve të shoqërisë civile nga komunitetet rom, ashkalinj dhe egjiptian.

Projekti ka përfshirë dy faza, ku në fazën e parë kanë qenë të përfshirë mësimdhënësit e shkollave fillore nga klasa e gjashtë deri në të nëntën.

Ndërkaq, tashmë ka nisur faza e dytë ku të përfshirë janë profesorët dhe nxënësit e nivelit të mesëm shkollor nga klasa 10 deri në 12.

Projekti “Edukimi mediatik kundër dezinformimit për mësimdhënësit, nxënësit dhe aktivistët e shoqërisë civile nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian”, mbështetet nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024