Vajzat e komuniteteve rom, ashkalinj dhe egjiptian braktisin shkollat si shkak i keqinformimit
Lajme
Lexohet për: 5 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Vajzat e komuniteteve rom, ashkalinj dhe egjiptian po detyrohen të braktisin shkollat si shkak i keqinformimit të familjes së tyre. Të njëjtat nuk po arrijnë të përfundojnë as shkollimin obligativ, meqë prindërit mendojnë se ato duhet të martohen.

Kështu u tha në trajnimin e sotëm, ku rreth 20 mësimdhënës të shkollave në Gjakovë, janë trajnuar mbi edukimin mediatik. Përveç kësaj, u theksua se vajzat e komuniteteve rom, ashkalinj e egjiptian, po bien pre edhe të mashtruesve në rrjetet sociale.

Sot është përmbyllur faza e parë e trajnimeve të mësimdhënësve, ndërkohë që javëve të kaluar janë organizuar në Fushë Kosovë, Mitrovicë e Prizren.

Sevdije Haxhibeqiri jep mësim në shkollën më të madhe në Gjakovë. Në mesin e dy mijë nxënësve, në shkollën e mesme të ulët "Zekirja Rexha", siç tregon ajo, ka numër të madh të madh edhe të tri komuniteteve rom, ashkalinj e egjiptian.

Ajo tregon për KosovaPress, se ka numër të madh të vajzave të cilat nuk po arrijnë të vijojnë shkollimin.

"Marrë parasysh që këto komunitete kanë të bëjnë me familjet e tyre të cilat nuk kanë informime të shumta, sidomos te shkollimi dhe arsimimi i tyre. Për këtë arsyeje kemi edhe probleme të mëdha, unë bëjë pjesë edhe në fushën ku e kemi për braktisjen e shkollave, sidomos të vajzave që braktisin shkollën. Janë një numër i madh i vajzave që braktisin shkollën...Zakonisht vajzat e braktisin shkollën për shkak të keqinformimit të familjeve të tyre, ku ende është mënyra tradicionale e tyre, ku familjet e tyre mendojnë që duhet të ndalohen vajzat kur ka një trup më të gjatë sepse ajo duhet të martohet dhe e ndalojnë në familje", thekson ajo.

Gjatë së shtunës, shumë mësimdhënës në Gjakovë kanë marrë pjesë në trajnimin me temën "Keqinformimi, dezinformimi dhe informimi keqdashës", në kuadër të projektit "Edukimi mediatik për mësimdhënësit e nxënësve të komuniteteve rom, ashkalinj dhe egjiptian".

Haxhibeqiri thotë se këto trajnime u ndihmojë mësimdhënësve për vetëdijesimin e nxënësve.

E Kreshnik Gjoklaj është që tri vjet mësimdhënës i TIK-ut, në shkollën "Selman Riza", tregon se në mesin e 600 nxënësve që numëron shkolla, ka numër të madh edhe të komuniteteve rom, ashkalinj e egjiptian.

"Nxënësit e përdorin teknologjinë mjaft, është epoka digjitale ku janë të ndikuar prej teknologjisë. Shpesh herë keqpërdorimi apo keqinformimi nga këto teknologjitë ose interneti ndikon negativisht tek nxënësit. Për shembull, lojërat online ose tek disa prej një pjesë të nxënësve. Për shkak se informimi që duhet ta kenë ata nuk është i drejtë apo i mjaftueshëm për ta. Tek nxënësit e komuniteteve mungon më shumë informimi, sepse nuk është vetëm shkolla që duhet të informojë nxënësit për këto gjëra që mund të sjell teknologjia ose interneti në përgjithësi", thekson ai.

Edhe në rastet kur nxënësit vizitojnë faqet në internet për t’u informuar, Gjoklaj thekson se të njëjtit po keqinformohen.

"Informatat që marrin nga rrjetet sociale, ndikojnë informatat e përgjithshme qe marrin ose bëjnë hulumtime në internet. Ato informata mund t'i plasojë çdo kush, por burimi prej nga i marrin ata mund të jenë të pasakta...Komunikimi që bëjnë shpesh herë përmes aplikacione me njerëz të panjohur, ajo është pika që duhet të trajtohet më së shumti. Sepse gjithmonë e dimë kush është para kompjuterit, po kush qëndron prapa kompjuterit asnjëherë nuk e dimë për shkak të profileve që mund të kenë me emër e mbiemër të dikujt qe nuk e njohin", deklaron ai për KosovaPress.

Këto nuk janë rastet e vetme kur nxënësit pësojnë nga keqinformimi.

Mësimdhënësja e lëndës "Biologji" dhe "Kimi", në shkollën "Zekirja Rexha", Diana Gaxha tregon se shumë nxënës nuk janë vaksinuar me dozën anti-Covid, si shkak i keqinformimit.

"Shkolla jonë ka një numër të madh të minoriteteve dhe rëndësia është që të thyhen steorotipet e këtyre nxënësve dhe të marrin edukim medial, sepse po vërejmë që disa prej këtyre nxënësve që u takojnë këtyre komuniteteve, informata jo e mirë ose i sjell në situata jo të mira. Për shembull largimi prej shkollës, situata të ndryshme që kanë pasur. Ose çështja e vaksinimit tek ata që thoshin se ndikon tek reproduktiviteti i tyre dhe që ata nuk ju kanë përgjigj thirrjes për vaksinim", përfundon ajo.

Me mbështetjen financiare nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, Agjencia e Lajmeve "KosovaPress", së bashku me organizatën joqeveritare "Young Community Leaders Center/ YCLC", po organizon këto trajnime në kuadër të projektit shtatëmujor, ku synohet ngritja e vetëdijes të komuniteteve kundër dezinformimit, si dhe fuqizimi i rolit të aktivistëve të shoqërisë civile nga komunitetet rom, ashkalinj dhe egjiptian.

Projekti përfshin dy faza. Në fazën e parë janë mësimdhënësit e shkollave fillore nga klasa e gjashtë deri në të nëntën.

Ndërkaq, nga dhjetori do të nis faza e dytë ku përfshin profesorët dhe nxënësit e nivelit të mesëm shkollor nga klasa 10 deri në 12.

Projekti “Edukimi mediatik kundër dezinformimit për mësimdhënësit, nxënësit dhe aktivistët e shoqërisë civile nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian”, mbështetet nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024