Me mbështetjen financiare nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, Agjencia e Lajmeve “KosovaPress”, së bashku me organizatën joqeveritare “Young Community Leaders Center/YCLC”, nga sot kanë nisur projektin shtatë mujor “Edukimi Medial për mësimdhënësit dhe nxënësit e të rinjtë e komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian në Kosovë”, përmes të cilit synohet ngritja e vetëdijes të komuniteteve kundër dezinformimit, si dhe fuqizimi i rolit të aktivistëve të shoqërisë civile nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian në parandalimin e dezinformatave në komunitetet e tyre.
Qëllimi i këtij projekt është të ndihmojë pjesëtarët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë, se si të mbrohen nga dezinformatat e përhapura nëpër platforma të ndryshme të internetit dhe si të rritet ndërgjegjësimi i tyre mbi rrezikun e lajmeve të rreme në mënyrë që të jenë të gatshëm të reagojnë ndaj dezinformatave.“Qëllimi është që t’u ndihmojmë pjesëtarëve të komuniteteve romë, ashkali, egjiptian se si të mbrohen nga dezinformacioni…dezinformacioni është një problem global që po i shqetëson të gjitha shoqëritë e botës, shtetet e ndryshme po marrim masa jashtëzakonisht strikte për ta parandaluar këtë dukuri që po shkakton huti te publiku dhe projekti ynë i targeton këtë komunitet, meqë deri tani nuk ka qenë i përfshirë në trajnime dhe masat që janë marrë në këtë fushë. Qëllimi është që t’u ndihmojmë, t’i vetëdijësojmë dhe të ngirisim kapacitetet edhe të shoqërisë civile, edhe të këtij komuniteti që të ndihmoj edhe komunitetin e vetë për ta prevantuar dezinformacionin”, tha ai.
Miftari ka treguar se ky projekt është i ndarë në dy fazë, ku në fazën e parë përfshihen mësimdhënësit e shkollave fillore nga klasa e gjashtë deri në të nëntën, e ku sot edhe zyrtarisht u mbajt trajnimi i parë për mësimdhënësit e komunës së Fushë-Kosovës.“Projekti do të zgjas 7 muaj është i ndarë në dy faza, faza e parë, trajnimi parë fillon sot me arsimtarët e shkollave fillore të Fushë-Kosovës, pastaj do të mbahet pas dy javë në Mitrovicë, në Gjakovë dhe në Prizren. Këto janë komunat që i kemi targetuar për shkak të koncertimit më të madh të këtyre komuniteteve…pastaj do ta bëjmë edhe një rikthim në fazën e dytë që do të filloj në dhjetor, ku do të jenë të targetuar nxënësit dhe profesorët e shkollave të mesme. Do të jenë trajnime të përbashkëta që të ketë një interaksion mes tyre dhe në mars të vitit të ardhshëm, ku do të organizohet një ëorkshop me aktivistë të shoqërisë civile, të cilët do të vazhdojnë që ta përgatisin komunitetin se si ta preventojnë dezinformacionin”, theksoi Miftari.
Kurse, koordinatori i organizatës “Young Community Leaders Center”, Burhan Gashi e konsideron të qëlluar temën e këtij projekti, pasi që pjesëtarët e komuniteteve shpesh janë pre e dezinformimit për shkak të nivelit të ulët të arsimimit.
Pjesëmarrësit e këtij projekti u shprehën të kënaqur me informacionet që po ofrohen përmes këtij trajnimi, derisa theksuan nevojën që trajnime të tilla që flasin për dezinformatën, të bëhen më të shpeshta.
“Me u informua është një gjë shumë e mirë dhe shumë në rregull dhe e mirëseardhur për të gjithë, jo vetëm për komunitetet…është e mirëseardhur sepse duhet të dimë se si të mbrohemi duke e ditur që teknologjia veç ka avancuar dhe është duke avancuar ditë ditës dhe kështu të dimë të mbrohemi…të gjithë jemi të kyçur në një smartphone edhe e kemi një email-adresë, tash që përdoret Facebook, tash edhe Tiktok, duhet të dihen cilat janë të metat dhe përparësitë dhe çka marrim dhe prej kujt i marrin informacionet dhe si të mbrohemi nga ato informacione….pres nga ky trajnim ato që i marrë t’i shpërndaj tek nxënësit”, theksoi ajo.
Në këtë trajnim ishte pjesëmarrës edhe Betim Ahmeti, sekretar në shkollën fillore të mesme të ulët “Daut Bogujevci, në Fushë-Kosovë. Sipas tij, trajnime të tilla që flasin për lajmet e rreme ndihmojnë edhe mësimdhënësit në procesin e punës.
Trajnimi “Edukimi Medial për, mësimdhënësit, dhe nxënësit e të rinjtë e komuniteteve Rom Ashkali dhe Egjiptian në Kosovë” do të vazhdojë rrugëtimin e tij pas Fushë-Kosovës, në qytetin e Mitrovicës, Prizrenit dhe Gjakovës.
Projekti “Edukimi mediatik kundër dezinformimit për mësimdhënësit, nxënësit dhe aktivistët e shoqërisë civile nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian”, mbështetet nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë.