Ditën e sotme është lansuar projekti “NaturKosovo: kryeqendra natyrore dhe kulturore në Kosovë dhe zhvillimi i qëndrueshëm turistik i Via Dinarica” i cili kap vlerën e 1.8 milionë eurove e që ka për qëllim të kontribuojë në zhvillimin e qëndrueshëm turistik në Kosovë.
Projekti financohet nga Agjencia Italiane për Bashkëpunim Zhvillimor, në bashkëpunim me Ambasadën Italiane në Prishtinë. Ai zbatohet nga një partneritet i organizatave italiane dhe kosovare që përbëhet nga OJQ RTM (udhëheqës), CELIM dhe Fondacioni UTALAYA, si dhe Klubi Italian Alpin, Trupat Kombëtare speleologjik dhe të shpëtimit alpin, dhe Shoqata Italiane për Turizmin e Përgjegjshëm si partnerë teknikë.“NaturKosovo” është një projekt 36 mujor. Ai trajton kryesisht territorin dhe komunitetet e Via Dinarica në Kosovë, e vendosur në pjesën veriperëndimore të vendit, duke përfshirë komunat e Pejës, Deçanit, Junikut dhe Parkun Kombëtar Bjeshkët e Nemuna. Në të njëjtën kohë, projekti synon të ketë ndikim në nivel kombëtar dhe të përfitojnë edhe zonat tjera malore të Kosovës.
Në lansimin e këtij projekti morën pjesë ambasadori i Italisë në vendin tonë, ministra të Qeverisë së Kosovës si dhe kryetarë të komunave të cilët përfshihen në këtë projekt e të cilët vlerësuan lart atë.“Projekti synon të krijojë një mjedis të mirë për të ndërtuar një partneritet publiko-privat. Kjo do të thotë se institucionet vendore, niveli qendror dhe ai lokal do të bashkëpunojmë me ndihmën tonë me sipërmarrësit dhe shoqatën e biznesit të kësaj zone, në mënyrë që të sigurohet infrastruktura dhe orientimi i nevojshëm, dhe në të njëjtën kohë të kemi për sektorin privat më shumë aftësi për të arritur një standard të cilësisë, standardet e Bashkimit Evropian, për vizitorët që duam të sjellim këtu”, deklaroi ambasadori.
Përfaqësuesja e Agjencisë Italiane për Bashkëpunimin Zhvillimor në Ballkanin Perëndimor, Stefania Vizzaccaro, u shpreh se projekti buron nga synimi i bashkëpunimit italian për të mbështetur komunitetet lokale në promovimin dhe vlerësimin e trashëgimisë natyrore dhe kulturore në kuadër të ekoturizmit, me synimin për të kombinuar zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik territorial për mbrojtjen e zonave natyrore dhe biodiversitetit.
"Që nga fillimi me projektin Via Dinarica, Ministria Industrisë, Ndërmarresisë dhe Tregtisë e ka involvuar në planet e veta dhe ka vazhduar bashkëpunimin me këtë projekt, por e rëndësishme tash që është edhe lansimi i projektit ‘NaturKosova’ që sjellë më shumë në pah potencialet tona malore, rurale por më shume në industrinë shërbyese për gastronominë, artizanatet, sektorin e drurit, dhe shkon konform objektivave të planit të ministrisë, respektivisht strategjisë të cilën jemi duke e finalizuar, ku synojmë që te kemi një zinxhirë të vlerave turistike në një ofertë. Dhe tash pas aprovimit të Ligjit për turizmin është edhe finalizimi i strategjisë së Kosovës, ku shihet edhe ky projekt ‘NaturKosova’, Via Dinarica dhe shumë përfaqësues të tjerë te kontribuojnë me reflektimet e tyre, por më e rëndësishmja po punohet edhe në brendimin e Kosovës dhe një projekt si kjo e ndihmon të shtojë vlerë në krijimin e brendit të Kosovës", tha ajo.
"Qëllimi i projektit është që të promovojë dhe të vlerësojë trashëgiminë kulturore e natyrore të Kosovës. Njashtu edhe të ngrisë tërheqjen e turizmit duke promovuar sa më shumë rritje të turizmit në nivel të Kosovës dhe përmes projektit, kësisoj të ndërthurë përmes Volontari Nel Mondo RTM, që ishte projekti të fuqizojë mekanizmat institucionalë për të rritur këtë vlerë", tha ai.
Partner në Kosovë është Fondacioni Utalaya, i alpinistes Uta Ibrahimi, femra e parë kosovare që u ngjit në malin Everest dhe promovuese e palodhur e çështjeve mjedisore dhe e respektimit të të drejtave të njeriut. Ajo tha se ky projekt po ashtu i ndihmon edhe ekonomisë së Kosovës.
Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj tha se ky projekt është mjaftë i rëndësishëm për këtë komunë pasi që turizmi cilësohet si sektori me i rëndësishëm.
"Çdo projekt që ka të bëjë me zhvillimin e turizmit mirëpritet nga ne dhe është i rëndësisë së veçantë, për shkak se trajtohet dhe cilësohet që është sektori më i rëndësishëm në Komunën e Deçanit, i cili ndikoi drejtpërdrejt në ekonominë familjare të banorëve të Deçanit... Deçani tash për tash ngadalë po shkon duke e krijuar historinë e suksesit në investimet sa i përket turizmit, mirëpo që janë tepër sfiduese dhe tepër të vështira për t'i implementuar", tha ai.