Organizata e Kombeve të Bashkuara ka reaguar pasi Kosova ka shpallur një zyrtar rus të UNMIK-ut person non grata.
Zëdhënësi i sekretarit të Përgjithshëm Antonio Guterres, Stéphane Dujarric ka thënë se vendimi i Qeverisë së Kosovës për shpalljen non grata të një anëtari të stafit të UNMIK-ut nuk është e zbatueshme për personelin e Kombeve të Bashkuara dhe nuk parashikohet sipas rregullores së UNMIK-ut.Sipas tij, çdo shqetësim në lidhje me një anëtar të personelit të UNMIK-ut duhet t'i drejtohet udhëheqjes së misionit në mënyrë që UNMIK-u ta trajtojë çështjen në përputhje me statusin, privilegjet dhe imunitetet e UNMIK-ut dhe personelit të tij.
“UNMIK-u dhe selia e OKB-së po marrin masat e duhura për të garantuar sigurinë e pjesëtarit të personelit në fjalë dhe po ndjekin autoritetet përkatëse për këtë çështje”, tha Dujarric.
“Institucionet e Republikës së Kosovës mbeten të vendosura në betejën kundër ndikimit malinj të Federatës Ruse dhe përfaqësuesve e satelitëve të saj në rajon, të cilët synojnë të minojnë arritjet e Kosovës dhe të partnerëve tanë, e në radhë të parë të SHBA-së, NATO-s dhe BE-së. Republika e Kosovës do të vazhdojë të bashkëpunojë edhe më ngushtë me aleatët e saj ndërkombëtarë, e sidomos me ata amerikanë, evropianë dhe me NATO-n, për të penguar çdo përpjekje destabilizuese të Federatës Ruse në rajonin tonë. Përcaktimi dhe rruga e Republikës së Kosovës drejt anëtarësimit në NATO, BE dhe më pas edhe në OKB janë të pakthyeshme. Qytetarët e Republikës së Kosovës i sigurojmë se institucionet do të mbeten çdo ditë vigjilente dhe të vendosura në mbrojtje të sigurisë dhe rendit kushtetues të vendit tonë, sa herë që të jetë e nevojshme”, thuhet në njoftim.