Arteta është trajneri i muajit gusht në Premier Ligë

Arteta është trajneri i muajit gusht në Premier Ligë

Spanjolli fiton çmimin e tij të tretë si trajner pas një starti fantastik të sezonit në Premier Ligë.

Mikel Arteta është zgjedhur trajneri më i mirë i muajit gusht, kështu duke e fituar çmimin në fjalë për herë të tretë, përcjell KosovaPress.

40 vjeçari bëhet trajneri i dytë në histori të Arsenalit pas Arsene Wengerit që e fillon sezonin e ri me pesë fitore radhazi në kampionatin anglez.

“Topçinjtë” e filluan këtë sezon me fitore 2:0 ndaj Crystal Palace, para se të mposhtnin 4:2 skuadrën e Leicester Cityt në stadiumin “Emirates”.


Një fitore 3:0 ndaj Bournemouthit vazhdoi formën e fitoreve të Arsenalit, kurse skuadra e Mikel Artetas e mbylli muajin me dy fitore radhazi me rezultat 2:1 kundër Fulhamit dhe Aston Villas.

Fillimi i sezonit me pesë fitore e ngjiti Arsenalin në krye të tabelës me plot 15 pikë të arkëtuara.

Çmimet e fundit të Artetas si trajneri më i mirë i muajit ishin në shtator të vitit 2021 dhe në muajin mars të vitit 2022.

Arteta e fiton çmimin e trajnerit më të mirë të muajit gusht pasi që në garë mposhti trajnerët si Antonio Conte, Pep Guardiola, Graham Potter dhe Marco Silva.

Lexo edhe

Video