Lideri i Demokracisë Serbe Aleksandar Arsenijeviq ka folur pas lirimit të tij nga Policia e Kosovës, për pengim të zyrtarëve që po lyenin murin afër urës kryesore mbi Ibër në Mitrovicë.
Ai ka treguar momentin e arrestimit nga Policia e Kosovës, por ka mohuar të ketë penguar zyrtarët në kryerjen e detyrave të tyre, teksa ka shtuar se janë për tolerancë ndëretnike.
Ndryshe, një numër i qytetarëve serbë kanë protestuar sot në Mitrovicën e Veriut pas arrestimit të liderit të Demokracisë Serbe Aleksandar Arsenijeviq nga Policia e Kosovës, pasi ky i fundit së bashku me Stefan Velkoviq u arrestuan, për pengim të zyrtarëve që po lyenin murin afër urës kryesore mbi Ibër. Pas lirimit të tij, qytetarët kanë duartrokitur dhe Arsenijeviq ka shpalosur flamurin serb para qytetarëve serbë. Arrestimi i Arsenijeviq dhe Velkoviq u bë në ditën kur në Mitrovicë të Veriut u mbajt një debat për hapjen e urës mbi lumin Ibër.
QUINT-i më 2 gusht deklaroi se aktualisht nuk e mbështesin hapjen e urës, ndërsa KFOR tha se çdo vendim për hapjen e urës duhet të merret në kuadër të dialogut. Ura aktualisht është e hapur vetëm për këmbësorë.