Arrihet marrëveshja për qeverinë e re gjermane

Arrihet marrëveshja për qeverinë e re gjermane

Kancelari i emëruar Olaf Scholz konfirmoi sot se tri partitë – Social Demokratët, Liberalët dhe Të Gjelbrit – kanë arritur një marrëveshje për formimin e një qeverie të re, e cila do t’i japë fund epokës së qeverisjes së gjatë të kancelares Angela Merkel.

Qeveria e re do të ketë 17 ministri, gjegjësisht një ministri më shumë se kabineti i mëparshëm, pasi po krijohet Ministria e Ndërtimit.

Socialdemokratët kanë postin e kancelarit, shefit të kabinetit, si dhe gjashtë departamente.

Të Gjelbrit marrin pesë ministri, duke përfshirë pozicionin e zëvendëskancelarit dhe Ministrinë e Jashtme. Demokratët e Lirë (FDP) do të kenë katër departamente.

Sipas Scholz, ky i ashtuquajtur “koalicion semaforik” do të përmbushë qëllimin e modernizimit të Gjermanisë.

Sipas marrëveshjes prej 177 faqesh, të arritur pas dy muaj negociatash, të tri palët ranë dakord të përshpejtojnë investimet publike në teknologjinë e gjelbër dhe digjitalizimin dhe të kthehen në kufijtë e rreptë të niveleve të borxhit të qeverisë nga viti 2023.


Scholz i Partisë Social Demokrate të Gjermanisë (SPD), i cili pritet të zëvendësojë  Merkel, theksoi rëndësinë e një Evrope sovrane, miqësinë me Francën dhe partneritetin me Shtetet e Bashkuara si pika kyçe në politikën e jashtme të qeverisë.

Sipas marrëveshjes së koalicionit, tre partitë shprehin mbështetje për integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor.

Scholz tha se ai pret që anëtarët e partisë të japin “bekimin e tyre” për marrëveshjen në 10 ditët e ardhshme.

Social Demokratët kanë negociuar me Partinë e Gjelbër mjedisore dhe Demokratët e Lirë që kur morën një fitore të ngushtë në zgjedhjet kombëtare të 26 shtatorit.

Nëse anëtarët e partisë nënshkruajnë marrëveshjen, aleanca prej tre anëtarësh do të zëvendësojë “koalicionin e madh” aktual.

Tri partitë e ardhshme në pushtet shpresojnë që Scholz, 63-vjeç, i cili ka qenë ministër i financave dhe zëvendëskancelar në qeverinë e Merkelit që nga viti 2018, do të zgjedhë parlamentin si kancelar në javën që fillon më 6 dhjetor.

Lexo edhe

Video

error: