Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Mashtrim”. Bëhet fjalë për personat me inicialet N.L. dhe K.L. në rajonin e Ferizajt.
Sipas Policisë, të njëjtit dyshohet se kanë mashtruar persona të ndryshëm duke u kërkuar para “me qëllim të punësim të tyre në Irak, Afganistan e Poloni”.
Personat e dyshuar raportohet se kanë kërkuar para në vlerë prej 2 mijë e 500 deri në 3 mijë euro me qëllim të sigurimit të kontratës së punës në një kompani.
“Të dyshuarit në vazhdimësi dhe në bashkëkryerje gjatë viteve 2021 – 2022 dyshohet se kanë mashtruar persona të ndryshëm në regjionin e Ferizajt duke u kërkuar para me qellim të punësimit të tyre në Irak, Afganistan dhe Poloni, ku kanë kërkuar nga viktimat para në vlerë prej 2500 deri në 3000 euro me qellim të sigurimit të kontratës së punës në një kompani. Në bazë të dëshmive të siguruara deri më tani dyshohet se vlera e mashtrimit të përfituar nga të dyshuarit arrinë në 80,000.00 (tetëdhjetë mije) euro”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Të dyshuarit janë intervistuar dhe personi me inicialet N.L. është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa e dyshuara K.L. është liruar në procedurë të rregullt.