Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Ervin Hoxha mëngjesin e sotëm ka reaguar lidhur me arrestimin e kreut të PL-së, Ilir Meta një ditë më parë, 21 tetor.
Meta u arrestua në afërsi të kthesës së Kamzës teka po udhëtonte me makinë.“Pra, Policia e Shtetit dje kreu detyrën dhe u detyrua ta kryente duke përdorur forcën, për gjithë sa sqarova më lart, duke iu referuar dinamikës së ngjarjes, jo dëshirës, sesi do të kishte qenë më mirë të ndodhte apo të mos ndodhte”, shkruan ai ndër të tjera.
Reagimi i plotë:Fjalori ka qenë ekstrem për mënyrën sesi u ekzekutua urdhri i Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, ndaj shtetasit në fjalë.
Janë përdorur etiketime të rënda ndaj Policisë dhe janë akuzuar efektivët e saj për faje, që nuk i kanë bërë, dhe reagimi ndaj rezistencës me forcë të personit, që kishin detyrë të ndalonin është nxjerrë jashtë kontekstit të ngjarjes.
Ata kishin mbrëmë, përtej pozicionimeve të njohura, edhe avantazhin e spektatorit në dhënien e gjykimeve, jashtë dinamikës dhe tensionit të ngjarjes.
Për zbatimin e vendimit të Gjykatës u angazhuan efektivë të Forcës Lëvizëse Operacionale, forcë e posaçme e trajnuar dhe specializuar për të ndjekur protokollet standarde sipas rastit, dhe jo punonjës të Rendit, që është një forcë shërbimi ditor.
Ata fatkeqësisht u përballën me një subjekt, që kundërshtoi forcërisht t’i nënshtrohej vendimit të Gjykatës, sapo mori dijeni për të.
Me këtë fakt lidhet edhe e gjithë shija, sigurisht jo e mirë e skenës që u krijua.
Nëse shtetasi Ilir Meta nuk do ta kishte kundërshtuar ekzekutimin e vendimit, dinamika e ngjarjes nuk do të kishte prodhuar asgjë tjetër, përveçse kalimin e qetë të tij, nga automjeti privat në automjetin e shoqërimit në Polici.
Madje sipas analizës përgatitore të operacionit, në të tjera rrethana, rezultati mund të kishte qenë edhe më problematik për shijen e atyre, që mbrëmë e trajtuan Policinë si autore të një operacioni të dhunshëm.
Me fjalorin e tyre ekstrem ndaj efektivëve të saj, jo dhe jo. Kurrën e kurrës.
Dhe në fund, e shoh të nevojshme të nënvizoj një të vërtetë absolute dhe fare banale. Kur Policia e Shtetit, jo në Shqipëri, por kudo në botë, merr një urdhër arresti, nuk ka në dispozicion shumë opsione, por vetëm një: Të ndalojë personin e kërkuar dhe pikë. As mund ta lajmërojë, as mund ta ftojë dhe as mund të koordinojë me të, vendin dhe orën e ndalimit. Të gjitha këto nuk janë thjeshtë të pamundura, por janë vepër penale, që ndëshkohen me burg.