Ardian Gjini po qëndron për vizitë zyrtare në Gjermani

Ardian Gjini po qëndron për vizitë zyrtare në Gjermani

Kryetari i Gjakovës Ardian Gjini, së bashku me udhëheqësin e sektorit për Integrime Evropiane në këtë komunë Arbër Gola, kanë qëndruar për një vizitë zyrtare në Gjermani, në Göppingen, qytet ky që njihet për aktivitet të shtuar industrial.

Fillimisht, kryetari Gjini është takuar me homologun e tij, kryetarin e Göppingen-it Alex Maier, me të cilin kanë biseduar për mundësitë konkrete të bashkëpunimit në mes të dy qyteteve.

Theks i veçantë i është vënë bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, arsimit dhe kulturës, duke filluar me vënien e kontakteve të bizneseve nga të dyja qytetet si dhe me shkëmbimin e studentëve nga Gjakova dhe Göppingen-i.


Duke u pajtuar që Gjakova dhe Göppingen-i janë dy qytete me karakteristika të përafërta, të dy kryetarët janë pajtuar që bashkërisht të iniciojnë procedura për binjakëzimin e këtyre dy qyteteve në një të ardhme të afërt.

Në kuadër të këtij bashkëpunimi, kryetari Gjini gjatë kësaj kohe ka vizituar edhe disa biznese të suksesshme në këtë qytet, duke vënë kështu kontaktet e para për një bashkëpunim edhe më të madh në të ardhmen.

Gjatë vizitës në Gjermani, kryetari Gjini gjithashtu ka vizituar edhe konsullatën e Kosovës në Stuttgart, me ç ‘rast është njoftuar nga afër me punën dhe angazhimin konkret që përfaqësuesit e Kosovës e bëjnë në këtë qytet të madh gjerman.

Kryetari Gjini gjithashtu ka qenë pjesë edhe e ceremonisë për shënimin e 30 vjetorit të themelimit të shoqatës “Nënë Tereza” në Göppingen. Me këtë rast, përfaqësuesit e Gjakovës dhe ata të shoqatës “Nënë Tereza”, Jahja Gashi, kanë shkëmbyer dhurata dhe mirënjohje për kontributin e secilit prej tyre në të mirë të zhvillimit dhe prosperitetit të shqiptarëve në Kosovë dhe Gjermani.

Lexo edhe

Video