Apeli konfirmon aktgjykimin e Themelores, Haradinaj-Stublla e pafajshme për mosdeklarim të pasurisë

Apeli konfirmon aktgjykimin e Themelores, Haradinaj-Stublla e pafajshme për mosdeklarim të pasurisë

Gjykata e Apelit të Kosovës ka konfirmuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë që e shpalli ish-ministren e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla të pafajshme për mosdeklarim të pasurisë.

Sipas këtij aktgjykimi, Haradinaj-Stublla ishte liruar nga akuza, meqenëse nuk është vërtetuar se e njëjta e kryer veprën penale mos raportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare, nga neni 437, paragrafi 2. KPRK.

Siç ka njoftuar Apeli në një komunikatë për media të martën, Prokuroria Themelore në Prishtinë ishte ankuar për vendimin e gjykatës, por Apeli e ka refuzuar si të pabazuar këtë ankesë.


“Kolegji penal i Gjykatës së Apelit të Kosovës pas shqyrtimit të të gjitha shkresave të lëndës dhe vlerësimit të pretendimeve ankimore, ka konstatuar ankesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë është e pabazuar, pasi që aktgjykimi i lartcekur i Gjykatës së Themelore në Prishtinë, nuk është përfshirë në asnjë shkelje ligjore, për faktin se nga provat e administruara nuk është vërtetuar se e akuzuara M.H.S., ta ketë kryer veprën penale për të cilën ishte akuzuar, andaj edhe me të drejtë është liruar nga akuza”, thuhet në njoftim të Apelit.

Haradinaj-Stublla akuzohej se si këshilltare politike e kryeministrit Ramush Haradinaj gjatë shtatorit të 2017, nuk kishte deklaruar pronësinë e saj mbi një biznes të regjistruar në Londër.

Në tetor të 2019, Hardinaj-Stublla ishte shpallur fajtore nga Gjykata Themelore e Prishtinës, për veprën penale “Mosraportim apo raportim i rremë i pasurisë” dhe u dënua me tetë muaj burgim me kusht, e njëmijë euro gjobë. Por, pas ankesës së mbrojtjes, Apeli e kishte anuluar aktgjykimin e Themelores dhe rastin e ktheu në rigjykim. Në rigjykim, u shpall e pafajshme.

Lexo edhe

Video

error: