Pas hetimeve disa javore, njësitet e antidrogës në Ferizaj sot kanë realizuar planin taktik “QAFA 2”, ku gjatë bastisjes në Sllakovc të Epërm Gjilan, kanë arrestuar shtetasit sllovakë N.H. dhe L.A., të cilët ishin në cilësi të personave ekspertë, duke përpunuar substancat kimike narkotike dhe personin e tretë, pronari i shtëpisë S. I., shtetas kosovar.
Të dyshuarit brenda shtëpisë në dy lokacione kanë improvizuar një laborator klandestin me pajisje për përpunim të substancave kimike, duke vendosur aparaturë dhe preparate të nevojshme kimike dhe ishin në proces të përpunimit të prodhimit të drogës sintetike, e dyshuar e llojit metafetaminë.
Policia ka kryer bastisje edhe në katër lokacione të tjera, përfshirë një dhomë hoteli, një banesë dhe një shtëpi banimi në Prelez të Ferizajt, por nuk është gjetur diçka e dyshuar.
Të dyshuarve iu është caktuar masa e ndalimit policor 48 orë. Droga, pajisjet e laboratorit, mjetet ndihmëse dhe një veturë Shkoda janë sekuestruar si prova materiale. Rasti vazhdon të hetohet dhe të gjitha veprimet tjera do të ndërmerren në bashkërendim me organet e drejtësisë.