Anna Moskwa: Polonia s’do të ndajë gazin me vendet e tjera të BE-së

Anna Moskwa: Polonia s’do të ndajë gazin me vendet e tjera të BE-së

Komisioni Evropian nuk mund ta detyrojë Poloninë të respektojë planin e ri të BE-së për të reduktuar konsumin e gazit, as Polonia nuk do të ndajë rezervat e saj të gazit me anëtarët e tjerë të bllokut, deklaroi sot ministrja e Klimës dhe Mjedisit, Anna Moskwa për mediumin polak Sieci.

Komentet e saj i referohen planit të BE-së që shtetet anëtare të reduktojnë konsumin e gazit në të gjithë bllokun me 15 për qind, në mënyrë që të mbushen depozitat e gazit përpara dimrit, për shkak të ndërprerjes së mundshme të dërgesave të gazit rus.

“Siguria energjetike është kompetencë ekskluzive e çdo shteti dhe ne kurrë nuk do të pranojmë t’ia dorëzojmë atë Bashkimit Evropian. Askush nuk mund të na detyrojë të rregullojmë konsumin e gazit apo të vendosim masa të tjera kufizuese. Ne nuk duam të marrim vendime për kufizime në vendet e tjera”, tha ajo.


Ministrja Moskwa vuri në dukje në intervistë se plani i BE-së nuk është një detyrim dhe se për këtë arsye ai duhet të shihet si një udhëzues, jo si një ligj.

“Do të jetë në baza vullnetare dhe vendimi për këtë çështje është në juridiksionin sovran të secilit vend”, theksoi ajo.

Megjithëse plani i BE-së nuk duket se përfshin ndarjen e rezervave të gazit midis anëtarëve, ministrja Moskwa megjithatë nënvizoi se Polonia në çdo rast do ta mbajë gazin e saj për vete.

“Askush nuk do të na heqë gazin. Theksoj – KE nuk mund të na detyrojë të bëjmë asgjë. Nuk ka solidaritet pa liri, që përfundon aty ku fillon detyrimi. Infrastruktura, gazsjellësit dhe gazi i blerë janë pronë e shtetit tonë dhe vetëm ne vendosim se si do ta përdorim dhe për nevojat e kujt”, tha ajo.

Video