Angazhimi i Policisë së Kosovës gjatë pandemisë COVID 19 pasqyrohet përmes një ekspozite

Për të pasqyruar punën e Policisë së Kosovës gjatë pandemisë COVID 19 është hapur sot ekspozita “Uniformat blu” në sheshin “Skënderbeu”, e cila do të qëndrojë deri në fundjavë.

Angazhimi i pashoq i policisë u vlerësua i rëndësishëm në mbarëvajtjen e vendimeve qeveritare dhe ruajtjen e shëndetit publik.

Inicuesja e kësaj ekspozite, Mihane Hoxha nga organizata joqeveritare “Culturat”, tha se përmes fotografive janë munduar sado pak të paraqesin punën e palodhshme të forcave policore.


“Përmes kësaj ekspozite po ekspozojmë fotografi për të pasqyruar punën e Policisë së Kosovës gjatë periudhës të pandemisë COVID 19. Përmes fotografive që mundeni edhe me i parë kemi bërë përpjekje për të pasqyruar situatën prej momentin të karantinimit, ku policia ka bërë një punë të jashtëzakonshme duke iu dal në ndihmë qytetarëve të Kosovës. E dyta përmes kësaj ekspozite jemi mundur të falënderojmë Policinë e Kosovës e cila prej momentin të parë kur është paraqitur rasti i parë me COVID është duke punuar me një orar të stërzgjatur 12 orësh”, tha ajo.

Ndërkaq, kjo ekspozitë  u vlerësua edhe nga vet pjesëtarë të Policisë së Kosovës, nënkoloneli, Basri Shabani tha se kjo është në kuadër të 21 vjetorit të Policisë, derisa tha se pandemia vrastare ka lënë të vdekur edhe zyrtarë policor.

“Njëra nga aktivitetet që shënojnë 21 vjetorin e Policisë së Kosovës është edhe ky aktivitet, ku përmes kësaj ekspozite është mundura të paraqitet puna e policisë gjatë kohës së pandemisë e cila ka qenë e angazhuar në orar 12 orësh për t’i dalë në ndihmë qytetarëve…mund të them se ka të vdekur edhe nga Policia e Kosovës si pasojë e COVID 19 dhe është një numër i konsiderueshëm që është në trajtim tani dhe janë vet izoluar” tha ai.

 Ky aktivitet i organizatës “Culturat” është bërë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës./E.Zeqiri

Lexo edhe

Video