Anëtarët e Listës Serbe dorëhiqen nga komisionet komunale zgjedhore në veri
Lexohet për: 3 min.
7 muaj më parë
Linku u kopjua

Katër anëtarë të Komisioneve Komunale Zgjedhore (KKZ) nga partia Lista Serbe janë dorëhequr nga këto poste në katër komunat në veri të Kosovës, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi.

“Në mbledhjet e kaluara, KQZ-ja ka funksionalizuar Komisionet Komunale të Zgjedhjeve në këto katër komuna, duke caktuar katër zyrtarët ekzekutivë, të cilët njëkohësisht janë kryesues të KKZ-së si dhe ka marrë vendim për emërimin e 27 anëtarëve, të cilët përfaqësojnë subjektet politike parlamentare”, tha Elezi.

Ai shtoi se sipas Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, KKZ-ja administron zgjedhjet brenda komunës përkatëse, nën mbikëqyrjen ekskluzive dhe udhëzimet e KQZ-së.

Njoftimi për dorëheqjen e anëtarëve të KKZ-ve nga Lista Serbe vjen një ditë pasi kjo parti – që është partia më e madhe e serbëve në Kosovë dhe ka mbështetjen e Beogradit – tha se nuk do të marrë pjesë në votimin për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Votimet për shkarkimin e kryetarëve të Zveçanit, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Mitrovicës së Veriut, janë caktuar të mbahen më 21 prill.

“Qëndrimi i Listës Serbe është të mos marrë pjesë në referendumin e thirrur nga Albin Kurti [kryeministri i Kosovës], sepse ai bëri gjithçka që ai të dështojë”, tha kryetari i Listës Serbe, Zllatan Elek, të dielën në një konferencë për media në Mitrovicën e Veriut.

Ai tha se janë vendosur “procedura të parealizueshme” për votimin e 21 prillit dhe se listat e votuesve “nuk e pasqyrojnë gjendjen reale në terren” dhe se numri i shqiptarëve në listat e votuesve "është rritur".

KQZ-ja vendosi që votimi të mbahet më 21 prill, pasi i verifikoi nënshkrimet e qytetarëve në peticionet për shkarkimin e kryetarëve të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Nënshkrimet u mblodhën në mesin e muajit janar në përputhje me një udhëzim administrativ të nxjerrë nga Qeveria e Kosovës, me qëllim që t'i hapte rrugën shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme në komunat e veriut, për shkak se popullata vendase serbe nuk ka pranuar kryetarët shqiptarë.

Sipas udhëzimit, të miratuar shtatorin e vitit të kaluar, që ky votim të jetë i suksesshëm, duhet 50 për qind, plus një votë e qytetarëve me të drejtë vote.

Pas kësaj, rezultati i dërgohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për të shpallur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Kryetarët shqiptarë të katër komunave në veri u zgjodhën në prill të vitit 2023, në zgjedhjet të cilat u bojkotuan nga serbët në shenjë pakënaqësie me politikat e Qeverisë së Kosovës.

Nisja e mandatit të tyre u përcoll me protesta dhe tensione majin e vitit të kaluar, që kulmuan me përleshje mes protestuesve dhe pjesëtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, në Zveçan më 29 maj. /rel/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024