Andin Hoti flet për çështjen e hapjes së arkivave dhe tregon çka kërkoi në Bruksel

Kryetari i delegacionit të Kosovës për bisedime për çështjen e personave të zhdukur, Andin Hoti thotë se pala kosovare e ka ftuar përfaqësuesin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak të vizitojë Arkivat e Kosovës me qëllim që të bindet se Serbia ka bërë shpifje sa herë ka deklaruar se ekzistojnë arkivat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Hoti konsideron që ka tendencë për politizim të çështjes së personave të pagjetur, për çka kërkon nga të gjithë që të jenë të kujdesshëm rreth këtij procesi, meqë mbetët një prej çështjeve më të ndjeshme për familjet e prekura rëndë nga lufta e fundit në Kosovë.

Hoti bashkë me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi kanë qëndruar dy ditë në kryeqendrën evropiane për t’u takuar me përfaqësuesin e Bashkimit Evropian dhe palën serbe, ku temë ka qenë çështja e personave të zhdukur.

Dje gjatë ditës, Bislimi ka deklaruar që palët janë marrë vesh në parim që hapin arkivat, në mënyrë që të shënohet përparim në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

Hoti thotë se ftesa që i është bërë Miroslav Lajcak për të vizituar Arkivat e Kosovës, synon të nxjerr në pah shpikjet e Serbisë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës posedon arkivat e saj.

“E ka ftuar zotin Lajcak me ardh në Kosovë në Arkivat Shtetërore të Kosovës, që janë të hapura çdo ditë për këdo qofshin, dhe me u bind për fabrikimet, me u bind për shpikjet që Serbia i ka bërë në vazhdimësi kinse ka arkiva të UÇK-së, me u bind që diçka e tillë nuk ekziston dhe me u bind që Serbia është bllokuese në procesin e fatit të personave të zhdukur, kaq di unë, kaq e di çka ka ndodh në Bruksel dhe kaq po mundohem të ua shpjegoj të gjithë atyre që sot janë shqetësuar”, thotë Hoti.

Lidhur me deklaratat për hapje të arkivave dje në Kosovë ka pasur reagime të shumta të cilat kanë kritikuar qasjen e qeverisë Kurti në këtë proces, e lidhur me këtë Hoti bënë thirrje që një temë e tillë mos të shfrytëzohet për interesa të partive politike.

“Fatkeqësisht me vetëdije apo pa vetëdije, zgjedhjet lokale janë shamë afër, dhe me vetëdije apo vetëdije kjo çështje po keqinterpretohet, po shfrytëzohet politikisht. Prej ditës së parë që jam në këtë komision dhje si kryesues i delegacionit jam lutur, kam kërkuar që mos të politizohet kjo çështje, jam edhe 1 mijë tema të tjera që mund të diskutohen për qeverisjen Kurti, janë 1 mijë tema të tjera që mund të atakohet zoti Kurti politikisht, jo në çështjen e personave të zhdukur sepse është e ndjeshme në radhë të parë për familjarët dhe për procesin në përgjithësi”, shton Hoti.

Hoti vlerëson se një prej formave për të zbardhur fatin e personave të zhdukur me forcë nga ushtria e policia serbe, është që Serbia të hap arkivat e ushtrisë së saj.


Megjithatë, Hoti nuk shprehet optimist se Serbia do të lejojë qasje në arkivat e ushtrisë së saj, e këtu merr parasysh mosbashkëpunimin e vazhdueshëm të Serbisë në çështjen e zbardhjes së fatit të personave të pagjetur.

“Është absurd me mendu në radhë të parë që ne themi diçka që nuk ekziston, sepse arkivat e UÇK-së, ne e dimë që nuk ekzistojnë, me aq sa dimë ne nuk ekzistojnë, ne e dimë që lufta e fundit në Kosovë e ka pasur vetëm një shtet dhe jo dy shtete, ai shtet ka qenë Serbia, Serbia ka pasur struktura të organizuara shtetërore të policisë dhe ushtrisë që i ka bërë këto krime, masakra në Kosovë, Kosova në këtë rast e ka nxjerr një ushtri çlirimtare të Kosovë prej popullit të saj për me mbrojt popullin e saj, dhe kapacitetet e UÇK-së kanë qenë zero për me pas arkiva të saj me ruajt të dhëna të saj”, thotë Hoti.

Hoti thotë se Kosova vazhdon të jetë prapa qëndrimit të saj se nuk pranojnë të ulën për bisedime me Velko Odalloviqin e Serbisë, meqë vlerësojnë se i njëjti për shkak të së kaluarës së tij nuk mund të kontribuojë në zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.

“Zotëri Odalloviq ku është, ne nuk do të marrim pjesë, ne po presim që Serbia të reflektojë, ne kemi shpreh bashkëpunim në Bruksel dhe kemi shpreh gatishmëri të bashkëpunimit në mes të grupit punues dhe nëngrupeve punese, dhe jo vetëm bashkëpunim por kemi kërkuar të intensifikohet, deri sot janë takuar një herë në gjashtë muaj, le të takohemi çdo muaj vetëm të shkëmbejmë informacione dhe t’i gjejmë këta persona sepse është bërë boll, çdo javë mund të takohemi, nuk e kam problem, por jo me zotëri Odallviq sepse nuk e shohim si ndihmues në këtë proces, nuk e shohim si një njëri që ka vullnet me dhënë informata. Logjikisht dikush që ka qenë pjesë, sepse zotëri Odalloviq ka qenë udhëheqës i distriktit të Kosovës dhe rrjedhimisht ka qenë pjesë e regjimit të Millosheviqit, dhe dikush që ka qenë pjesë e regjimit të Millosheviqit dhe potencialisht ka bërë krime direkte apo indirekte në Kosovë nuk ka logjikë ai t’i jap informatat për ato sepse pason drejtësia dhe ai hyn në burg”, thotë Hoti.

Sipas Hotit, Serbia po bënë lojë me çështjen e personave të pagjetur duke deklaruar që i ka dhënë Kosovës mijëra dokumente që lidhen me këtë proces, por sipas Hotit asnjë prej tyre nuk përmban informacion që i ndihmon këtij procesi.

“Zotëri Odalloviq e ka dhënë një deklaratë në media që ‘ne ja kemi dhënë Kosovës 2 mijë e 600 dokumente e të tjera, unë i thash zotit Lajcak jo 2 mijë e 600 por edhe 250 mijë me i dhënë, ku është babi im, ku janë edhe 1632 persona, boll më me këtë lojë politike”, thotë Hoti.

Andin Hoti, biri i veprimtarit të zhdukur Ukshin Hoti, i cili tash është personi kryesor në çështjen e personave të pagjetur, thotë se në Bruksel kanë kërkuar nga Bashkimi Evropian që të bëjë presion mbi palën serbe meqë vetëm në këtë mënyrë do të mund të dërgohet përpara kjo çështje.

Në Bruksel, Hoti thotë se kanë kërkuar edhe qasje të plotë në territorin e Serbisë për hulumtime të varrezave masive dhe dorëzimin e menjëhershëm të raporteve të ADN-së pas identifikimit të trupave nga varreza masive e Kizhevakut, në mënyrë që të njoftohen familjarët dhe të bëhet riatdhesimi i trupave në Kosovë.

Lidhur me takimin në Bruksel, Hoti do të informojë sot përmes takimeve, shoqatat dhe familjaret e personave të zhdukur.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.

error: