Ancelotti flet për Hazardin: Ai e kupton situatën e tij te Real Madridi

Ancelotti flet për Hazardin: Ai e kupton situatën e tij te Real Madridi

Trajneri, Carlo Ancelotti ka thënë se Eden Hazard është i vetëdijshëm se pse ka minutazhë jo të mirë te Real Madridi këtë sezon.

Reprezentuesi belg, Hazard ka kaluar nëpër një kohë të vështirë përgjatë tri viteve te Reali, kryesisht për shkak të lëndimeve të shumta, përcjell KosovaPress.

Pavarësisht se këtë sezon nuk ka pasur probleme me lëndim, 31 vjeçari ka filluar vetëm njërën nga 10 ndeshjet e Realit në të gjitha garat, dhe është paraqitur dy herë si rezervist.

Ai ishte një rezervist i papërdorur në barazimin 1:1 kundër Osasunas, ku para tij preferencat e Ancelottit ishin Marco Asensio dhe Mariano Diaz.


Ancelotti qëndroi pas zgjedhjeve të tij pas ndeshjes me Osasunan dhe ka përsëritur përpara ndeshjes së nesërme në Ligën e Kampionëve me Shakhtar Donetsk se Hazard duhet të luftojë për vendin e tij.

“Është e qartë që cilido lojtarë është i vetëdijshëm për situatën e tij. Më duhet t’ua shpjegojë atyre se çfarë është duke ndodhur. Në lidhje me këtë gjë Hazard nuk më ka folur mua. Ai ka konkurrencë të madhe. Situata e tij dhe e të tjerëve është tejet e qartë”, tha Ancelotti.

“Ai e kupton situatën shumë mirë, çdo lojtarë e kupton situatën e tij shumë mirë. Ka shumë konkurrencë të madhe këtu”, shtoi më tej trajneri i Realit.

Që prej kalimit nga Chelsea te Real Madridi në verën e vitit 2019, Eden Hazard ka arritur të bëjë vetëm 70 paraqitje në të gjitha garat, duke regjistruar shtatë gola dhe 11 asistime mbi emrin e tij.

Lexo edhe

Video