Ambasadori i Italisë, Antonello De Riu ka dënuar ashpër sulmet ndaj Policisë së Kosovës derisa ka shprehur ngushëllimet më të thella për të afërmit e policit të vrarë gjatë kryerjes së detyrës.
Ai ka thënë se përgjegjësit për aksionin e vrasjes duhet të sillen para drejtësisë.
“Ambasadori i Italisë Antonello De Riu dënon ashpër sulmet ndaj Policisë së Kosovës dhe shpreh ngushëllimet më të thella për të dashurit e policit të vrarë gjatë kryerjes së detyrës. Ata që janë përgjegjës për aksionin e vrasjes duhet të sillen para drejtësisë”, ka shkruar ai në “X”.
Në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme (e diel) është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku ndërsa polici tjetër Alban Rashiti ka mbetur i plagosur. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Banjska të Zveçanit ku është sulmuar patrulla policore.