Ambasadori i ri i SHBA-së arrin në Kosovë

Ambasadori i ri i SHBA-së arrin në Kosovë

Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Hovenier ka mbërritur në Kosovë.

I ngarkuari i deritashëm me Punë në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, Nicholas Giacobbe ka njoftuar në Facebook se e ka pritur ambasadorin Hovenier dhe se nesër do t’i dorëzojë letrat kredenciale.

“Sot mirëprita në Prishtinë ambasadorin e emëruar Jeff Hovenier. Ka qenë një nder të shërbej si i Ngarkuar me Punë gjatë disa muajve të fundit. Vazhdoni të ndiqni @UsAmbKosovo (Twitter) dhe llogarinë e Ambasadës këtu në Facebook për përditësime mbi javët e para të Ambasadorit Hovenier, përfshirë ceremoninë e kredencializimit të tij nesër,” shkruan Giacobbe.


Jeffrey Hovenier është diplomat karriere i shërbimit të jashtëm amerikan, i cili ka qenë pjesë e stafit të të dërguarit të posaçëm të OKB-së për statusin e Kosovës.

Në një seancë dëgjimore para Komitetit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë në tetor 2021, Hovenier ka thënë se nëse konfirmohet në postin e ambasadorit, ai do ta ketë prioritet vazhdimin e mbështetjes amerikane për një Kosovë sovrane e demokratike.

Hovenier është nominuar për ambasador në muajin korrik, nga presidenti Joe Biden.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.