Ambasadori i Kosovës në Uashington Ilir Dugolli ka reaguar pas miratimit të Programit Kompakt të MCC-së.
Ai ka thënë se Kosova është e përkushtuar për avancimin e prioriteteve të përbashkëta Kosovë-SHBA në të ardhmen.
“Krenar për lidhjen unike mes dy vendeve tona. Mirënjohës që miqësia e qëndrueshme mes popujve tanë përcaktohet dhe ushqehet nga vlera të përbashkëta. Të përkushtuar për të thelluar më tej marrëdhëniet dhe avancimin e prioriteteve tona të përbashkëta”, ka shkruar Dugolli në Twitter.
Bordi Ekzekutiv i Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) në mbledhjen e rregullt më 30 qershor 2022 ka aprovuar Projektin Kompakt si dhe kanë hapur rrugën për nënshkrimin dhe finalizimin e proceseve të ratifikimit në Kuvendin e Kosovës dhe dekretimin nga presidentja Vjosa Osmani.
Nga ky financim 200 milionë dollarësh do të vijë në formë granti nga SHBA përmes MCC-së, rreth 35 milionë dollarë do të jetë kontribut nga Qeveria e Kosovës, ndërsa 2 milionë do të jenë fonde nga Institucioni Amerikan i Katalizatorit për Zhvillim (ACFD-së).
Programi do të përfshijë tri projekte rezerva dhe arbitrazh të energjisë (bateritë me kapacitet 170 MW, që ofrojnë rezervë 340 MWh), zhvillimi i fuqisë punëtore dhe përfshirja e grave në sektor të energjisë, dhe projekti i Institucionit Amerikan të Katalizatorit për Zhvillim.