Ambasada e Gjermanisë i dhuron Policisë së Kosovës pajisje në vlerë mbi 240 mijë euro

Ambasada e Gjermanisë i dhuron Policisë së Kosovës pajisje në vlerë mbi 240 mijë euro

Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë ka ndarë sot një donacion për Policinë e Kosovës, në të cilin përfshihen pajisje të shikimit gjatë natës, dylbi të imazhit termik, detektorë, laptopë dhe pajisje trajnimi në vlerë mbi 240 mijë euro.

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti tha se ky donacion është shumë i rëndësishëm, derisa ka siguruar se këto pajisje do të shfrytëzohen për të mirën e qytetarëve.

“Ky donacion dhe ndihmat tjera që kanë ardhur deri më sot do të përdoren në mënyrën më të mirë të mundshme. Taksapaguesit gjermanë do ta kuptojnë që Policia e Kosovës këto donacione dhe ndihma që ka marrë, do t’i përdorë në atë mënyrë që të jenë benifit edhe të qytetarëve gjermanë, edhe të qytetarëve të Kosovës, por edhe qytetarëve të rajonit”, ka theksuar ai.

Ndërsa ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Joern Rohde ka theksuar se ky donacion dëshmon mbështetjen e madhe të vendit të tij për Kosovën.


“Pajisjet që po i shihni sot këtu, disa nga të cilat janë edhe dylbi të llojeve të ndryshme janë blerë edhe në koordinim me autoritet lokale. Kanë një vlerë prej më se 240 mijë euro. Këto kanë qenë të gatshme prej tetorit të vitit të kaluar kur kemi ndarë një donacion prej 20 veturash për Policinë e Kosovës. Ky donacion dhe kjo mbështetje e shpreh më shumë bashkëpunimin që e kemi pasur mes të autoriteteve tona ndër vite”, ka theksuar ai.

Diplomati gjerman tha se vendi i tij është mik i Kosovës, por që tha se shpreson se pajisjet e dhuruara do të shfrytëzohen me qëllimin për të cilin edhe janë sjellë.

“Gjermania është një mike e Kosovës në të gjitha fushat, siguri, ekonomi apo bashkëpunim ekonomik. Siç e theksoi edhe zotëri Mehmeti, këto pajisje që janë ndarë si donacion, shpresojmë se do të përdoren edhe për qëllimin për të cilin janë prurë këtu”, tha Rohde.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti ka ndarë  mirënjohje për Andrea Geschke për punën bashkëpunuese me Policinë e Kosovës. Për këtë të fundit u tha se ka punuar shumë në bashkëpunimin mes ambasadës dhe policisë.

Lexo edhe

Video

error: