Allegri tregon dashurinë për Juventusin: Kam refuzuar dy herë Real Madridin

Allegri tregon dashurinë për Juventusin: Kam refuzuar dy herë Real Madridin

Trajneri italian Massimiliano Allegri ka treguar se kishte nënshkruar një marrëveshje që të merrte drejtimin e Real Madridit para se të zgjedhë rikthimin te gjiganti italian Juventus.

Allegri kishte qenë në të kaluarën trajner i Juventusit, ku i kishte udhëhequr ata drejt dy finaleve të Ligës së Kampionëve, atë të vitit 2015 dhe atë të vitit 2017, ndërsa kishte fituar plot 11 trofe gjatë pesë sezoneve, përfshirë këtu pesë tituj të Serie A radhazi dhe katër tituj radhazi të Kupës së Italisë.

Sidoqoftë, Allegri ishte shkarkuar nga presidenti i Juventusit Andrea Agnelli në fund të sezonit 2018/19, ku humbja në çerekfinale të Ligës së Kampionëve kundër Ajaxit ishte vendimtare për të ardhmen e trajnerit italian atë sezon, sezon në të cilin “Zonja e Vjetër” e kishte transferuar yllin Cristiano Ronaldo, përcjell KosovaPress.


Aventurat me Maurizio Sarrin dhe Andrea Pirlon ishin të pasuksesshme për Juventusin, ku ky i fundit riktheu Massimiliano Allegrin në fillim të këtij sezoni, por 54 vjeçari ka treguar që ishte shumë pranë që të merrte detyrën e trajnerit te Real Madridi.

“Veçse kisha nënshkruar me Realin verën e kaluar, por e thirra presidentin Florentino Perez që t’i tregojë që nuk do të kemi marrëveshje, sepse zgjodha Juventusin. Ai më falënderoi. Kur më kontaktuan në muajin maj, unë nuk kisha dyshime”, tha Allegri.

“Nuk jam penduar, do të ishte një karrierë profesionale e mirë, Milan, Juventus, Real Madrid, por nuk mund të kesh çdo gjë në jetë. Jam tejet krenarë që kam drejtuar Milanin për katër vite dhe të jem tani me Juventusin. E kam refuzuar Realin dy herë. Herën e parë isha në bisedime për të rinovuar me Juventusin, por i tregova Florentinos që i kisha dhënë fjalën time Agnellit”, shtoi trajneri italian.

Massimiliano Allegri nuk kishte pranuar të marrë ndonjë detyrë si trajner pas largimit nga Juventusi, dhe beson që ai kishte marrë vendimin e duhur për tu rikthyer te “Zonja e Vjetër” në fillim të këtij sezoni.

Lexo edhe

Video