Aliu për arrestimin e zyrtarëve në Ferizaj: Dëshmi e komunës në luftën kundër korrupsionit

Kryetari i komunës së Ferizajt, Agim Aliu ka deklaruar se arrestimi i 12 personave të dyshuar për ryshfet është bërë në bashkëpunim të plotë me institucionet lokale.

Duke e quajtur këtë dëshmi për luftën e pakompromisë kundër korrupsionit, i pari i Ferizajt tha se tetë prej tyre janë zyrtarë komunal.

“Përpjekja më serioze deri më tash, e cila konsiderojmë është jo vetëm në nivelin lokal është kjo që ka ndodhur në aksionin e sotëm. Epilogun e këtij aksioni të përbashkët në koordinim të plotë të Komunës së Ferizajt dhe institucioneve të drejtësisë janë arrestuar dymbëdhjetë persona. Prej tyre tetë zyrtarë të komunës, pesë janë rojtar dhe tre janë teknik të pylltarisë. Kjo është dëshmia më e mirë se ne jemi të pakompromisë dhe lufta jonë do të jetë e pakompromisë ndaj cilitdo zyrtarë apo abuzues tjetër që ka të bëjë me interesin publik dhe pasurinë e shtetit”, tha ai.

Kryetari i Ferizajt përmes një konference të jashtëzakonshme për medie ftoi qytetarët që të bashkëpunojnë në luftimin e dukurive negative.


“Ata kanë besuar në mirëqevërisje, sepse ata kanë besuar në një qeverisje me moral, nder dhe me përkushtim për interesin publik dhe një luftë të pakompromis ndaj dukurive të këqija. Duke qenë kështu, unë kam kërkuar nga qytetarët që ta mbrojnë këtë qeverisje. Mënyra ma e mirë për ta mbrojtur këtë qeverisje është bashkëpunimi me ne. Përderisa kemi një pushtet që lufton të keqën duhet ta mbrosh atë pushtet duke ndihmuar  me informacione për ta mbrojtje këtë mirëqeverisje”, tha ai.

Ndërsa, drejtori i Bujqësisë dhe Pylltarisë Burim Bajrami tha se dëmet e shkaktuara nga personat e arrestuar janë të mëdha.

“Ne çdo gjashtë muaj kemi bërë regjistrimin e dëmeve te secili roje. Këtu dëme i kemi dërguar në prokurori dhe hetuese të komunës së Ferizajt dhe duke u bazuar në këto materiale ata i kanë zhvilluar gjitha masat”, tha ai.

Prokuroria Themelore në Ferizaj gjatë ditës bëri të ditur se ka arrestuar 12 persona në dyshimin e keqpërdorimit të pozitës zyrtare, marrje ryshfeti dhe dhënie ryshfeti.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.