Albin Kurtit i kanë ngelë vetëm dy rrugë

Albin Kurtit i kanë ngelë vetëm dy rrugë

Ai pa përfunduar dita e sotme, duhet ta heqë taksën 100%, pa kurrfarë kushti, dhe javën e ardhshme të merr avionin e parë për Washington. Dhe të mos kthehet në Prishtinë pa një ‘skenar’ ku ai do të ishte një nga aktorët kryesorë të zgjidhjes së problemit me Serbinë. I bie që ai duhet të jetë ‘bashkëskenarist’, sepse nuk ka kurrfarë sensi që të pretendosh se mund të bësh film të mirë kur skenarin ta shkruan tjetër kush, regjinë ta bën tjetër kush, kurse nga ti në fund kërkohet të bëhesh asistent-regjisor (!)

Albin Kurtit i kanë ngelë vetëm dy rrugë: ose të bëhet 100% bashkëpunues me amerikanët, ose të japë dorëheqje. Rrugë të mesme nuk ka. Madje rruga e mesme, që aktualisht po e ndjek kryeministri Kurti, duke e hequr gradualisht taksën 100%, dhe duke pritur nga Serbia mos po bëhet “terbie”, nuk të shpie askund. Kjo rrugë atë e kthen shumë shpejt në opozitë, atje ku ai ndërtoi kauza që do të bëheshin realitet në një kohë normale.
Tani Kosova nuk po jeton në kohë normale, prandaj edhe kauzat e Albin Kurtit janë të pazbatueshme, në rrethanat në të cilat ndodhet pozita e tij si kryeministër.
Nëse ndryshojnë ato rrethana, gjithçka mund të ndodhë….

Në këto rrethana, kryeministri i Kosovës, nuk mund të ndjek politikë autentike, për arsye se ajo është e diktuar nga faktorë të jashtëm. Zgjedhësit në Kosovë, duhet të presin edhe një kohë që çështjet për të cilat ata kanë votuar, të vinë në rend dite pak më vonë.

Ata duhet të presin që të mënjanohen tërësisht mospajtimet me Serbinë.

Tani, Serbia është prioritet. Kështu po thotë Washingtoni dhe kush do që merr guximin me i zhvendos prioritetet, penalizohet rëndë.
Albin Kurtit po i thuhet ose hiqe taksën 100%, ose përfundoi karriera jote politike.

Por Albin Kurti këtë luks nuk duhet t’ua lejojë atyre që e kërkojnë këtë. Ai pa përfunduar dita e sotme, duhet ta heqë taksën 100%, pa kurrfarë kushti, dhe javën e ardhshme të merr avionin e parë për Washington. Dhe të mos kthehet në Prishtinë pa një ‘skenar’ ku ai do të ishte një nga aktorët kryesorë të zgjidhjes së problemit me Serbinë. I bie që ai duhet të jetë ‘bashkëskenarist’, sepse nuk ka kurrfarë sensi që të pretendosh se mund të bësh film të mirë kur skenarin ta shkruan tjetër kush, regjinë ta bën tjetër kush, kurse nga ti në fund kërkohet të bëhesh asistent-regjisor (!)
Këtë udhë, Kurti duhet ta bëjë në emër të qindra mijëra votuesve të Kosovës që nga ai kanë kërkuar ndryshime rrënjësore në politikë, në ekonomi, në drejtësi, në shëndetësi, në arsim, në siguri etj. Pa këtë udhëtim në Washington, Kurti e ka vështirë të ruaj drejtpeshimin në mes të një histeri mediatike-publike që po zhvillohet kundër tij dhe presionit amerikan për heqjen e taksës 100”.
Këtë udhë, Kurti duhet ta bëjë që ta shpëtojë nga kidnapimi i mëtejmë procesin në të cilin ndodhet Kosova. Të gjithë e dinë se nga kush është kidnapuar procesi, andaj Albin Kurtit i bie të tregohet pak më i mençur se ‘kidnapuesit’.


Brenda dhe jashtë Kosovës ka shumë njerëz që janë të interesuar ta rikthejnë gjendjen para 6 tetorit. Kjo puna me taksën, me Serbinë e blla-blla, janë vetëm alibira sipërfaqësore që fshehin një tendencë tjetër, që në fakt duke e penalizuar Kurtin dhe duke e paraqitur atë si antiamerikan të pamundësojnë funksionimin e tij si kryeministër me kapacitet të plotë, brenda kauzës – ‘çkapja e shtetit’.
Nëse Albin Kurti bëhet më kooperativ me Amerikën, të gjitha këto goditjet medaitike-publike kundër tij, do të pushojnë. Ato do të pushojnë sepse do t’iu digjet karta e fundit e penalizmit të Albin Kurtit në sytë e amerikanëve. Ato do të pushojnë sepse e dinë që një kryeministër, që do të vendos raporte normale me Washingtonin, premtimin e tij për konfiskimin e pasurive të paligjshme, do ta bëjë realitet.

Ata do të pushojnë, sepse një kryeministër, që do të vendos raporte normale me Washingtonin, do të kërkojë që në bisedimet me Beogradin, Kosova të mos trajtohet si çështje e brendshme e Serbisë (sepse Kosova ende është pjesë e Kushtetutës së Serbisë) dhe nga kjo fundit do të kërkohet zbardhja e fatit të pagjeturve kosovarë, zhdëmtimi i pasojave të luftës së 199899-tës, ndërkohë që do të kërkohet edhe sqarim për mosrealizimin e marrëveshjeve të deritanishme që janë nënshkruar në Bruksel, e ku figuron edhe recipritetiti.

Ata do të pushojnë, sepse një kryeministër, që do të vendos raporte normale me Washingtonin, do ta ketë shumë më lehtë ta çmontoj këtë sistem katastrofal (pa)drejtësie.

Zëdhënësve të histerisë mediatike-publike nuk iu konvenon tani për tani një Albin Kurti me raporte miqësore me Shtëpinë e Bardhë, sepse janë të interesuar që ta kenë edhe një kohë të caktuar një Albin Kurti që merr për çdo ditë shuplaka prej Adminstratës së Trumpit. Vetëm në këtë mënyrë ata i japin hapësirë procesit të kidnapuar nga një tufë njerëzish në Prishtinë dhe në Beograd.

Albin Kurti duhet t’ua heqë nga dora gurin atyre që po mundohen t’ia godasin arrën. Ai nuk duhet lejuar t’u jep argumente këtyre gurëhedhësve fatal që ta akuzojnë se gjoja me qëndrimet e tij kokëforta e dëmtoi Kosovën duke e izoluar atë, se e afroi Rusinë në gjeopolitikën rajonale, se gjoja nuk është i gatshëm (dhe i aftë) të bëhet pjesë e dialogut Prishtinë-Beograd etj. etj.
Albin Kurti duhet të jetë 100% i Kosovës dhe 100% mik i amerikanëve.

Askush tjetër, përpos tij, nuk e meriton të jetë fytyra e re e ndryshimeve në Kosovë, por kjo nuk mund të arrihet nëse Kurti nuk e bën një kthesë radikale që to t’i lë gojëhapur të gjithë skeptikët dhe kundërshtarët në Kosovë dhe jashtë saj.

Lexo edhe

Video

error: