Kompania e njohur ndërkombëtare e konsulencës së ndërtimit “ALB-Architect”, e cila operon në mënyrë aktive që nga viti 2008 në Kosovë, sot solemnisht ka shënuar 15-vjetorin e themelimit.
Pronari i kësaj kompanie, Afrim Demiri ka falënderuar të pranishmit për bashkëpunimin. Ai tha se synimi i kompanisë është të arrijë tregun ndërkombëtar.
“Ne si kompani kemi pas sukses vendor por edhe gjashtë vitet e fundit që dalim në tregun ndërkombëtar. Synimi i kompanisë sonë është të bëhemi kompani konsulente nga Kosova, të japim kontributin tonë edhe jashtë vendit…Pra, synimet tona janë të mbizotërojmë tregun në Afrikë, Azi që jemi edhe aktualisht dhe në Evropë”, tha Demiri.
Drejtoresha Menaxhuese e Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare, Nora Hasani është shprehur mjaft e kënaqur me bashkëpunimin. Ajo ka vlerësuar pronarin e kompanisë si person me vlera të larta e të sukesshëm.
“ALB-Architect është ndërtuar me shumë mund e përkushtim dhe me përpjekje të vazhdueshme për ekselencë. Sot nuk është vetëm ditë feste por është ditë për reflektim, është ditë ku duhet të ndaleni, ta ktheni kokën prapa dhe të mendoni sa keni arritur këto 15 vite, është ditë ku keni të drejtë të jeni krenar me vetën dhe me sukseset e tuaja…Një firmë sado të mirë ta ketë planin e biznesit, asnjëherë nuk mundet me qenë e suksesshme pa një lidership të fortë dhe pa njerëzit që punojnë në të, kështu që “ALB-Architect” ka një staf të mrekullueshëm që kanë pasion e përkushtim për punë”, tha ajo.
Skender Krasniqi, Kryetar i Bordit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë në fjalën e tij është shprehur i kënaqur me bashkëpunimin që kanë me kompaninë në fjalë.
“Është nder dhe kënaqësi që jemi sot në 15-vjetorin e kompanisë, që tregon qëndrueshmërinë dhe vazhdimësinë, sepse të qëndrosh dhe të zhvillohesh gjatë këtyre 15 viteve nuk është e lehtë në një kompani të tregut. Arritja e objektivave që në këtë rast kjo kompani i ka vendosur vetes, padyshim është për t’u çmuar dhe vlerësuar lartë nga ana jonë. “ALB-Architet” ka arritur të ndërtojë besimin për shërbimet e ofruara si në institucionet vendore ashtu edhe në ndërkombëtare. Kjo kompani përveç zhvillimit dhe rritjes si kompani kontribuon edhe me prezencën e saj në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë në përmirësimin e infrastrukturës ligjore që e rrit klimën e të bërit biznes në Kosovë”, tha Krasniqi.
Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj është shprehur i lumtur me arritjet e kësaj kompanie, derisa ka falënderuar edhe për donacionet e dhëna nga kjo kompani për komunën e Suharekës.
Ai kërkoi nga të gjithë të rinjtë që të punojnë së bashku për të mirën e vendit.
“Më vjen mirë që kudo që shkoj firmat e Suharekës në listat e para, një kompani që ka filluar prej zeros dhe ka arritur të jetë një kompani me standarde evropiane që punon jashtë Kosovës. Dua të falënderoj edhe për donacionet që ka bërë kjo kompani për Suharekën. Ju te rinj të vendit punoni për ara njerëz që kanë dhënë kontribut dhe kanë vdek për këtë vend, për ata njerëz qe nuk janë sot në Kosovë por janë duke mbrojtur kauzat e shtetit ,kur është interesi i kombit dhe i shtetit duhet me qenë bashkë”, tha Muharremaj.
Të kënaqur me bashkëpunimin e kësaj kompanie janë shprehur edhe bashkëpunëtorët dhe mysafirët.
Isuf Haxhiu, pronar i “Prishtina City Center” ka treguar ekperiencën që ka me kompaninë, derisa e vlerëson si një nga kompanitë me bashkëpunimin më të mirë.
“Me kompaninë “ALB Architect” kemi eksperiencë bashkëpunimi prej dy viteve e gjysmë. Në vlerësimin dhe eksperiencën tonë gjatë gjithë kësaj periudhe kemi vlerësuar se është një nga kompanitë që ka të gjitha kapacitetet njerëzore, teknologjike dhe pjesën tjetër të infrastrukturës mbështetëse çfarëdo që lidhet me ofrimin e shërbimeve inxhinierike dhe arkitekturore të një nivelit bashkëkohorë dhe shumë profesional. Nga ana tjetër, duke parë të gjithë këtë mënyrë bashkëpunimi dhe eksperiencën shumë pozitive që kemi pasur në të gjitha proceset që kemi të kontraktuar por edhe përtej këtyre, ne besojmë që kompania i ka të gjitha mundësitë që t’i ngelet jo vetëm një brend i Kosovës, por të përfaqësojë vlerat humane dhe profesionale të Kosovës edhe përtej kufinjve”, thotë ai.
Blerim Çeku, e vlerëson këtë kompani si më të mirën në rajon.
“Unë bashkëpunoj me këtë kompani nga fillimi. Pronari i kompanisë është person me shkathtësi të veçanta të menaxhimit, e ka durimin të pasosur, qëndrueshmërinë, perceptimin, mandej insistimin për arritjen e rezultatit të pakufishëm dhe vërtetë është madhështi për këto 15 vite sa ka mundur të arrijë. Është nga kompanitë, jo vetëm tek ne por edhe në rajon, kompani lider në kryerjen e shërbimeve inxhinierike”, thotë Çeku.
“ALB-Architect”, po ashtu ka ndarë mirënjohje për bashkëpunëtorë dhe klientë.
E specializuar në dizajnim dhe menaxhimin e projekteve, “ALB-Architect” tashmë është konsoliduar si një kompani lider.
“ALB-Architect” është kompani me numër të madh inxhinierësh, arkitektësh dhe staf kreativ të cilët adresojnë disa nga proceset më sfiduese strukturore, teknologjike, të planifikimit dhe zhvillimit në Kosovë dhe jashtë saj. Me një staf prej mbi 40 të punësuarve, kompania zhvillon rreth 25 projekte çdo vit me rreth 1.66 mil euro qarkullim në shërbime inxhinierike.
Qëllimi kryesor i kompanisë që nga fillimi ishte i bazuar në angazhime dhe qasje bashkëpunuese për krijimin e një arkitekture të qëndrueshme dhe ndërtesave që kontribuojnë në komunitet. /E.Krasniqi/
