Akuzat për “Toyota Yaris”, Basha: Keqardhje ta shohësh Sali Berishën të bjerë kaq poshtë

Akuzat për “Toyota Yaris”, Basha: Keqardhje ta shohësh Sali Berishën të bjerë kaq poshtë

Kryetari i PD-së Lulzim Basha iu kundërpërgjigj sot akuzave të ish-kryeministrit Sali Berishës se kryedemokrati mbahet peng nga kryeministri Edi Rama për shkak të dosjes “Toyota Yaris”.

Sipas Bashës, ajo që deklaroi Berisha është ajo për të cilën e akuzoi Rama javën e kaluar.


“Çfarë keqardhje ta shohësh Sali Berishën të bjerë poshtë e më poshtë çdo ditë me trillimet dhe sulmet identike si të kundërshtarit. Ajo që deklaroi Sali Berisha sot është ekzaktësisht ajo për të cilën më akuzoi Edi Rama javën e kaluar. Përgjigjja ime ndaj Sali Berishës është e njëjta që i dhashë Edi Ramës. Asnjë trillim nuk do ta shndërrojë PD në mburojë të interesave personale”, shkruan Basha në Facebook.

Berisha sot tha se Rama e mban peng me çështjen e “Toyota Yaris”, duke i kërkuar Bashës të dalë dhe ta sqarojë.

“Është e vërtetë që Edi Rama të ka përmendur ty ‘Toyota Yaris’ në parlament, por është e vërtetë që ai e mban peng me ‘Toyota Yaris’ Lulzim Bashën sa për dijeni. Prandaj peng Basha, dil e sqaroje aferën e ‘Toyota Yaris’, ndave apo jo para me Taulant Ballën në atë aferë. Na ngrihet një ditë të bukur në parlament, ditë të martë dhe thotë se ditën e shtunë do të vijnë Toyotat me 5 milionë euro. Ku e mësove këtë i thashë, më informuan tha. Por e çuditshme ishte kjo, eurot erdhën, por nuk u kthyen. I thashë pse nuk u kthyen ato euro pasi ti njoftove, epo tha ndiqeshin me GPS. Ashtu i thashë unë, mirë. I ndiqnin me GPS. Çudi i them unë, shumë çudi kjo punë. Eurot nuk u kthyen mbrapsht, ndonëse kishin tri ditë për t’u kthyer e për të shkuar dhe në Australi apo Afrikë e Jugut po të donin. Erdhën në Durrës 1.5 milion euro më pak. Kanë ardhur disa herë hetuesit belgë dhe Basha iu fshihet dhe nuk iu shkon. Nëse Edi Rama t’i përmend, të mban peng, unë të kërkoj transparencë”, deklaroi Berisha.

Lexo edhe

Video

error: