Akuzat e PDK-së për Kalabrinë, Komuna e Prishtinës i quan puro-politike
Lexohet për: 3 min.
Masterplani per Fshatin Olimpik
6 muaj më parë
Linku u kopjua

Gjatë ditës së sotme, përfaqësues të Partisë Demokratike të Kosovës kanë bërë akuza kundër Planit Rregullues për Lagjen Kalabria në Prishtinë.

Komuna e Prishtinës në një reagim thotë se veprime të tilla ka pasur edhe në të kaluarën kur PDK-ja “ka tentuar përmes sabotimit të shumë proceseve të ndalin punën.”

Sipas Komunës së Prishtinës, Plani Rregullues për Lagjen Kalabria ka kaluar nëpër të gjitha procedurat e parapara ligjore për dokumentet e tilla.

“Dokumenti është hartuar nga një grup punues me ekspertë të drejtorive përkatëse, përfshirë edhe ekspertë ndërkombëtar të planifikimit urban. Plani ka kaluar nëpër periudhën 30 ditore të konsultimeve publike me banorët e Lagjes Kalabria për të informuar ata rreth detajeve të Planit si dhe për të marrë parasysh sugjerimet e tyre”, thuhet në reagim.

PDK: Plani i Ramës për lagjen “Kalabria” degradon jetën e qytetarëve, favorizon kompanitë e ndërtimit • KosovaPress

Komuna sqaron se janë mbajtur shumë konsultime publike grupore me banorë dhe pronarë të tokave në Lagjen Kalabria.

“Përveç rregullimit të shumë problemeve që kanë banorët e Lagjes, ky Plan parasheh rritjen e vlerës së ndërtimit në pronën komunale. Kjo është bërë në mënyrë tërësisht transparente dhe ligjore. Qëllimi i ngritjes së kësaj vlere të ndërtimit është që investitorët potencial që shprehin interes për investim në këtë pronë komunale, do të kushtëzohen me ndërtimin e Unazës së Kryeqytetit dhe Fshatit Olimpik. Rritja e vlerës së ndërtimit në këto prona do të sigurojë ndërtimin e Unazës së Kryeqytetit dhe Fshatit Olimpik pa e ngarkuar buxhetin e Kryeqytetit dhe pa ngarkuar qytetarët”, thuhet më tej në reagim.

Unaza e Kryeqytetit kap një vlerë rreth 350 milionë euro, rreth 150 milionë eksproprijim të pronave private dhe rreth 200 milionë për ndërtim, ndërsa Fshati Olimpik rreth 200 milionë euro. Komuna thotë se me miratimin e këtij Plani Rregullues mund të financohen këto dy projekte madhore që arrijnë vlerën totale rreth 550 milionë euro.

“Sigurojmë qytetarët se miratimi i këtij Plani Rregullues nuk do të dëmtojë pronën publike, nuk do të rëndojë qytetarët e buxhetin e Kryeqytetit, por përkundrazi do të rezultojë me ndërtimin e Unazës së Kryeqytetit dhe Fshatit Olimpik e cila do të jetë në dobi të qytetarëve të gjithë Republikës së Kosovës. Kjo masë është ndërmarrë për shkak se ndërtimi i Unazës së Kryeqytetit është duke u vonuar tash e sa kohë si rrjedhojë e mungesës së mbështetjes dhe bashkëpunimit nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe nevojës për ndërtimin e Fshatit Olimpik”, përfundon reagimi i Komunës së Prishtinës.    

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024