Aktualisht në Kosovë nuk ka koronavirus, 10 të dyshuar po testohen

Aktualisht në Kosovë nuk ka koronavirus, 10 të dyshuar po testohen

Kontrollet për koronavirus në shtetin e Kosovës kanë filluar nga 8 shkurti dhe deri më sot janë testuar gjithsej  82 pacient të cilët kanë rezultuar negativ. Aktualisht në qendrat e kontrollit kanë arritur 10 raste të reja të dyshuara, rezultatet e të cilave do të bëhen të ditura në mbrëmje.

Kështu bëri të ditur komiteti për koordinimin dhe vlerësimin e situatës lidhur me koronavirusin në Kosovë.

Me këtë rast, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, deklaroi se në Kosovë nuk ka asnjë rast të prekur nga koronavirusi.

Ai tha se sot në të gjitha institucionet shtetërore, shëndetësore, publike dhe private do të dërgohet qarkorja informative me rekomandime specifike që kanë për qëllim mbrojtjen e stafit shëndetësor, sigurinë e pacientëve dhe qytetarëve që kërkojnë shërbime në këto institucione.

Vitia theksoi se, OBSh-ja ka konfirmuar se shteti i Kosovës është njëri prej vendeve me rrezikshmërinë më të ulët të koronavirusit.

“Deri tani nuk kemi asnjë rast të konfirmuar me koronavirus, Qeveria e Kosovës mbrëmë ka vendosur për marrjen e masave të tjera të cilat kanë për qëllim parandalimin e përhapjes së koronavirusit dhe mbrojtjen e shëndetit të popullatës. Në këtë kuadër përveç këtyre masave sot të gjitha institucioneve shëndetësore publike dhe private do t’i dërgohet qarkorja informative me rekomandime specifike që kanë për qëllim mbrojtjen e stafit shëndetësor sigurinë e pacientëve dhe qytetarëve që kërkojnë shërbime në këto institucione…Ju lus që angazhimin tonë dhe masat e ndërmarra t’i kuptoni vetëm si kujdes i shtuar për shëndetin publik, gjë që ka sjell edhe rezultatin që sipas të dhënave të OBSH-së Kosova bën pjesë në mesin e vendeve me rrezik të ulet në raport me koronavirusin”, u shpreh Vitia.

Vitia ndër të tjerash tha se janë bërë përgatitje dhe së shpejti qytetarët e Kosovës do të marrin përmes një sms nga posta, numrin në të cilin mund të thërrasin të marrin këshilla mjekësore dhe udhëzime si të veprojnë kur kanë shqetësime për koronavirusin.

Vitia njoftoi se në institucionet shëndetësore kanë arritur maska dhe mjete mbrojtëse shtesë.

Drejtori i IKShPK-së Naser Ramadani, deklaroi se deri sot janë testuar 82 pacient të cilët kanë rezultuar negativisht dhe se sot në mbrëmjet publikohen rezultatet e 10 pacientëve të dyshuar.

“Ne kemi filluar të testojmë nga 8 shkurti dhe deri më sot janë testuar 82 pacient të cilët kanë rezultuar negativ, sot kanë hy në punë 10 pacient dhe të cilëve duhet t’i dalin rezultatet në orët e hershme të mbrëmjes, sa i përket rritjes së intensitetit nuk ka rritje është intensitet normal i rasteve të dyshimta të cilat në aspektin klinik dyshohet që duhet të bëhet analiza laboratorike për ta qartësuar punën. Te shumica e rasteve kanë dalur ftohje të lehta, të një pjesë e tyre ka dalur grip A ose grip B, pra pacientët testohen në të gjitha testet në të gjitha kompletët e testeve dhe nuk mbetën pa u diagnostikuar në aspektin laboratorik”, u shpreh Ramadani.

I pyetur se sa ka kapacitet Instituti kombëtar dhe institucionet tjera shëndetësore  për gjurmimin e rasteve me koronavirus, Ramadani theksoi se këtë kapacitet nuk e ka asnjë vend në botë e as Kosova, por që sipas tij janë qytetarët ata që ndihmojnë në këtë gjurmim, duke i zbatuar rekomandimet e institucioneve të shëndetësisë.


“Kapacitete për të gjurmuar rastet nuk ka asnjë shtet në botë si i zhvilluar si i pa zhvilluar kjo është doktrinë. A ka kapacitete Instituti Kombëtar dhe institucionet shëndetësore në Kosovë po. Ne do t’i gjurmojmë për aq sa ndihmojnë qytetarët veç e veç, ju garantojmë se do t’i gjurmojmë por kjo nuk varet as nga institucionet shëndetësore as niveleve të larta shtetërore në Kosovë në botë. Këtë mund ta bëjnë vetëm qytetarët me punën e tyre pro aktive, së pari duke i zbatuar rekomandimet e institucioneve shëndetësore që të përcjellin të gjithë ata anëtar në vetëkarantinë që nënkupton vetëkarantina qëndrimi në shtëpitë e tyre”, u shpreh Ramadani.

Rekomandimet nga Qarkorja informative:

  1. Të kufizohet rreptë lëvizja e shoqëruesve dhe familjarëve të pacientëve, si dhe prezenca e personave të pauniformuar në ambientet e urgjencës/emergjencës dhe në institucionet spitalore.
  2. Në të gjitha institucionet shëndetësore të vendit (publike dhe private), të kenë të përgatitura dhoma të veçanta për rastet e dyshimta (posaçërisht në Klinikën Infektive të QKUK-së, si dhe në institucionet tjera spitalore të vendit)
  3. Të realizohet kontrolli maksimal dhe inspektimet në të gjitha institucionet shëndetësore të vendit (publike dhe private)
  4. Në të gjitha institucionet shëndetësore të vendit (publike dhe private), të shtohet kontrolli i brendshëm profesional në baza ditore duke implementuar rekomandimet e instancave të larta të Kosovës
  5. Të rritet në maksimum përkujdesja e stafit mjekësor dhe jo mjekësor ndaj higjienës personale dhe institucionale
  6. Të aplikohen nga personeli shëndetësor masat mbrojtëse konform udhëzimeve të OBSH të e ECDC-së, të përditësuara nga IKSHPK
  7. Të vendosen materialet informuese dhe edukative për parandalimin e COVID-19 në institucionet shëndetësore, dhe në institucionet tjera publike dhe private – nga përgjegjësit e tyre
  8. Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare (përfshirë gjithë qendrat e mjekësisë familjare ne vartësi të saj), Spitalet Rajonale, si dhe ambulancat dhe spitalet private ti raportojnë informatat rreth rasteve të rënda klinike mbi baza ditore direkte (sipas udhëzimeve) dhe me mjetet më të shpejta të Institutet Rajonale të Shëndetësisë Publike
  9. Institutet Rajonale të Shëndetësisë Publike do t’i përpunojnë të dhënat dhe varësisht nga ecuria epidemiologjike raportojnë menjëherë Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike me mjetin më të shpejtë të komunikimit dhe dorëzojnë raportet javore të kompletuara në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike.
  10. Marrja e mostrave për konfirmim laboratorik do të bëhet vetëm te pacientët me simptome klinike të bazuara në definim të rastit në Klinikën Infektive të QKUK.
  11. Personeli i Klinikës Infektive të QKUK i dërgon mostrat për testim laboratorik dhe raporton për të gjitha rastet e hospitalizuara duke e plotësuar pyetësorin përkatës.
  12. Rekomandohet shmangie e udhëtimeve në vende të cilat janë me rrezik të lartë dhe të mesëm, në përputhje me listën e Organizatës Botërore Shëndetësore.
  13. Të përforcohet pjesëmarrja e vullnetarëve të Kryqit të Kuq dhe vullnetarëve tjerë , në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, në të gjitha vendkalimet kufitare.

 

Rekomandimet për qytetarët:

  1. Individët të praktikojnë masa parandaluese të përditshme, si larja e shpeshtë e duarve, qëndrimi në shtëpi kur janë të sëmurë dhe mbajtje e higjienës respiratore (mbulimi me gropëzën e bërrylit gjatë kollitjes dhe teshtitjeve).
  2. Të mbahet të paktën 1 metër distancë midis vetes dhe kujtdo që kollitet ose teshtin,
  3. Të shmanget frekuentimi në qendra tregtare, kafiteri, restorane dhe klube të natës
  4. Të ndalohet veprimtaria e restoranteve dhe klubeve të natës pas orës 23:00.
  5. Objektet hotelierike, restorantet, kafiteritë të mbajnë distancë strikte së paku mbi 1,5 metra në mes tavolinave dhe së paku 1 metër distancë të klientëve mes veti.
  6. Ndërmarrjet dhe kompanitë të hartojnë plane për të punuar nga shtëpia për aq sa është e mundur.
  7. Personat e rritur dhe kategoritë me rrezik të lartë të qytetarëve me sëmundje kronike, ta rrallojnë lëvizjen dhe të shmangin transportin publik.
  8. Rekomandohet shmangie e udhëtimeve në vende të cilat janë me rrezik të lartë dhe të mesëm, në përputhje me listën e Organizatës Botërore Shëndetësore.

 

 

 

 

 

 

 

 

Lexo edhe

error: