Aktakuzë ndaj 3 personave për cenim të drejtave të punësimit në Trepçë
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë - Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur sot aktakuzë ndaj të pandehurve A.H., E.M., dhe B.A., nën dyshimet se kanë kryer veprën penale cenimi i të drejtave të punësimit dhe papunësisë.
Të pandehurit, në janar 2020, si anëtarë të komisionit për pranimin e punëtorëve të minierën e Trepçës, në bashkëkryerje dhe me dashje kanë vepruar në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, duke mos përfillur procedurat e rekrutimit të përcaktuara sipas udhëzimit administrativ të MPMS lidhur me rregullimin e procedurave të konkursit në sektorin publik.
Të njëjtit, kanë shkelur rregulloren e vlerësimit gjatë intervistimit me gojë të kandidatëve, ashtu që në vend të vlerësimit për çdo pyetje të saktë me 20 pikë, në rastin konkret i kanë vlerësuar kandidatët me nga 25 pikë për pyetje në total me mbi 100 deri 300 pikë, duke i sistemuar në vende pune 7 persona, dhe me këtë veprim kandidatëve të tjerë u ka mohuar të drejtën për punësim.
Prokurori i Shtetit i ka propozuar gjykatës që të pandehurit t`i shpallë fajtorë për veprën e kryer penale dhe t`i dënojë sipas ligjit.