Aktakuza e plotësuar ndaj krerëve të UÇK-së ia ka shtuar edhe dy vjet procesit

Aktakuza e plotësuar ndaj krerëve të UÇK-së ia ka shtuar edhe dy vjet procesit

Taulant Hodaj, avokati i akredituar nga Specialja, ka komentuar plotësimin e aktakuzës ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

Hodaj në “Frontal” në T7, ka thënë se pikat e reja të aktakuzës nuk janë një aktakuzë e te, por vetëm plotësim-ndryshime tek aktakuza e vjetër.

“Ky është një plotësim-ndryshim i aktakuzës. Është ndryshuar aktakuza në kuptim të plotësimit. Domethënë janë shtuar disa pika të reja të aktakuzës në aktakuzën e njëjtë që e kanë pasur më herët”, ka thënë ai.

Këto plotësim-ndryshime lejohen sipas tij nga Gjykata Speciale.

“Rregullat pranë Gjykatës Speciale janë ‘sui generis’ pra plotësisht të veçanta dhe me këtë kuptim ato i lejojnë prokurorisë që të ndryshojë aktakuzën, të plotësojë aktakuzën në çdo fazë sikur para konfirmimit të aktakuzës ashtu edhe pas konfirmimit të aktakuzës. I lejohet prokurorisë që të ndryshojë aktakuzën edhe në rastin kur rasti është në rigjykimin në panelin para tre gjyqtarëve”, ka thënë ai.


Hodaj tha se ne këto pika të reja të aktakuzës procesi i gjykimit mund të shtyhet edhe për dy vjet.

“Ata tani i kanë të gjitha të drejtat siç i kanë pasur nga fillimi. Tani ata kanë të drejtë që të kundërshtojnë këto pika të aktakuzës, të kërkojnë sqarime shtesë, të bëjnë kërkesa të ndryshme dhe kjo mendoj që i ka shtuar edhe dy vjet që kanë me i marrë procedurat. Prapë prej fillimit avokatët mbrojtës kanë me u merr me kundërshtimin e këtyre akuzave siç i kanë bërë më herët”, deklaroi Hodaj.

Zyra e Prokurorit të Specializuar të premten e ka dorëzuar në Gjykatën Speciale një aktakuzë të re, të ndryshuar, kundër ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kreyparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi.

Në aktakuzën e re, prokurori Jack Smith ka përfshirë disa krime të pretenduara në Suharekë dhe Gjilan, për të cilat akuzohen ish-krerët politikë e ushtarakë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Aktakuza e re është më pak konfidenciale dhe ka më pak pjesë të redaktuara.

Sikurse në aktakuzën e dorëzuar më parë, edhe në aktakuzën e re, të ndryshuar, Prokuroria i akuzon Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin për vrasje, tortura, trajtim çnjerëzor e arrestime të paligjshme. Prokuroria rendit akuza për krime që pretendohet të jenë kryer në disa shtëpi nga ish-pjesëtarët e UÇK-së.

Lexo edhe

Video