Sot pas një koordinimi të ngushtë në mes të institucioneve të Kosovës, janë mbyllur institucionet paralele ilegale të vetëqeverisjes Lokale, të cilat kanë funksionuar nën direktiva të Serbisë duke cenuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Kosovës.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal Elbert Krasniqi ka bërë të ditur se me këtë rast janë mbyllur komuna paralele e Qarkut të Mitrovicës së Kosovës, komuna paralele e Mitrovicës, ajo e Zveçanit, komuna paralele e Zubin Potokut dhe komuna paralele e Leposaviqit.
Ai ka shtuar se qytetarët kanë adresën e saktë ku mund t’i marrin shërbimet komunale dhe strukturat paralele nuk mund të operojnë jashtë kornizës ligjore të Kosovës.
“Nuk ka vend për operim ilegal dhe shërbime paralele në asnjë hapësirë të Republikës sonë”, ka përfunduar Krasniqi.